Lajme

“E dimë se si emërohen këta”/ Gazetari i njohur ngre dyshime për emërimet e Drejtorëve të Policisë

Gazetari Lavdrim Lita e ka cilësuar të dyshimtë shkarkimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku.

Kjo sepse, në fjalën e tij në emisionin Review, Lita u shpreh se qytetarët nuk informohen për arsyet pse drejtues të lartë të kupolës së Policisë së Shtetit janë shkarkuar nga puna, duke sjellë në vëmendje rastin e Rrumbullakut , Gledis Nanos dhe ish-ministrit Balla.

“Ne nuk e dimë si u bë drejtor Gledis Nano, pse u shkarkua, çfarë ka bërë që u shkarkua. Nuk e dimë pse u shkarkua Taulant Balla, sepse Balla po të ishte ministër tani që u bë ligji do kishte më shumë pushtet. Dilte udhëzimi, ngrihej komisioni dhe ministri vendoste filtra për të vendosur në rrethe njerëzit e tij. Kryeministri nuk e deshi këtë, merr një tjetër, e bën ministër që të mos e ketë atë forcë. Këtu është një politikë shumë e thellë.” -u shpreh Lita.

Sipas tij, problem kryesor në thelb nuk është ligji, por mënyr ase si vendoset ai në zbatim, funskionet që do t’ju jepen strukturave të Policisë së Shtetit dhe gjetja e arsyeve se përse këto ndryshime bëhen pak muaj përpara zgjedhjeve.

“Problemi është si do përdoret Policia e Shtetit, pse bëhen këto ndryshime vetëm 8 muaj përpara zgjedhjeve. Ku është garancia që këta drejtuesit e rinj nuk do fusin njerëz apo të afërm me të tjerë të Partisë Socialiste, ku është garancia.” -përfundoi gazetari.