Shëndetësi

E dinit? Sa më shumë ushqime të përpunuara, aq më i lartë rreziku për zemrën

Një studim i ri në Shtetet e Bashkuara ka ngritur alarmin mbi ndikimin që ushqimet ultra-të përpunuara mund të kenë në shëndetin e zemrës. Të dhënat u prezantuan në Sesionin Shkencor Vjetor të Kolegjit Amerikan të Kardiologjisë (ACC.26), duke treguar një lidhje të fortë mes konsumit të lartë të këtyre produkteve dhe rrezikut për probleme serioze kardiake.

Sipas studiuesve, personat që konsumonin më shumë se nëntë porcione ushqimesh ultra-të përpunuara në ditë kishin rreth 67% më shumë gjasa të përjetonin ngjarje të mëdha kardiake, si infarkt, goditje në tru apo vdekje nga sëmundjet koronare, krahasuar me ata që konsumonin rreth një porcion në ditë. Në këtë kategori përfshihen produkte të zakonshme si patatinat, ushqimet e ngrira, mishrat e përpunuar, pijet me sheqer dhe drithërat e gatshëm.

Studimi, i cili analizoi mbi 6,800 të rritur të moshës 45 deri në 84 vjeç, tregoi gjithashtu se rreziku rritet gradualisht me çdo porcion shtesë. Konkretisht, çdo shtesë ditore lidhej me një rritje prej më shumë se 5% të gjasës për probleme serioze të zemrës. Edhe pasi u morën në konsideratë faktorë të tjerë si diabeti, tensioni i lartë, kolesteroli apo obeziteti, lidhja mbeti e fortë.

Ekspertët theksojnë se rreziku nuk lidhet vetëm me kaloritë apo cilësinë e përgjithshme të dietës, por edhe me mënyrën se si këto ushqime përpunohen. Konsumi i tyre i shpeshtë mund të ndikojë në metabolizëm, inflamacion dhe shtim në peshë.

Të Ngjashme