Një zbulim i jashtëzakonshëm arkeologjik është bërë pranë brigjeve të Danimarkës, ku është gjetur anija luftarake Dannebroge, e fundosur gjatë Betejës së Kopenhagenit në vitin 1801.
Anija u identifikua nga arkeologët detarë të Muzeut Danez të Anijeve Vikinge, të cilët po studionin shtratin e detit në portin e Kopenhagenit përpara ndërtimit të një projekti të ri infrastrukturor. Mbetjet e saj u gjetën rreth 15 metra nën ujë.
Sipas ekspertëve, përmasat e anijes përputhen plotësisht me dokumentet historike, ndërsa zona përreth është e mbushur me gjyle topash dhe dëshmi të tjera të betejës. Gjatë kërkimeve janë zbuluar edhe objekte personale të ekuipazhit, si këpucë, fragmente veshjesh dhe pipa balte.
Dannebroge ishte pjesë e mbrojtjes danezo-norvegjeze kundër flotës britanike të komanduar nga Horatio Nelson. Pas disa orësh luftime të ashpra, anija u përfshi nga flakët dhe shpërtheu.
Ky është zbulimi i parë arkeologjik historik dhe konsiderohet një hap i rëndësishëm për të kuptuar më mirë ngjarjet e betejës dhe jetën e marinarëve të asaj kohe.
/rtsh.al/
