Një krim që tronditi opinionin publik në Itali po rikthehet në qendër të vëmendjes me zhvillimet më të fundit në gjykatë. Prokuroria e Romës ka kërkuar dënim me burgim të përjetshëm për Mark Antony Samson, të akuzuar për vrasjen brutale të ish-të dashurës së tij, Ilaria Sula, trupin e së cilës dyshohet se e fshehu në një valixhe për ta hedhur më pas në një humnerë.
Sipas akuzës, ngjarja e rëndë ndodhi në mars të vitit të kaluar në apartamentin e Samson në Romë. Hetimet zbuluan se i riu e kishte thirrur Ilariën në banesë, ku fillimisht e kishte dhunuar fizikisht dhe më pas e kishte goditur tri herë me thikë në qafë.
Pas krimit, Samson dyshohet se e futi trupin e pajetë të vajzës në një valixhe dhe e hodhi në një humnerë në zonën e Capranica Prenestina, në përpjekje për të fshehur gjurmët e ngjarjes, shkruajnë mediat italiane transmeton Klankosova.tv.
Gjatë seancës në sallën bunker të burgut Rebibbia në Romë, prokurori shtesë Giuseppe Cascini deklaroi se bëhej fjalë për një krim të planifikuar dhe të ekzekutuar “me gjakftohtësi”, duke e cilësuar të akuzuarin si “manipulues, hipokrit dhe të mësuar me gënjeshtra”.
Prokuroria ngriti akuza për vrasje me paramendim, motive të ulëta dhe fshehje të kufomës, ndërsa theksoi se dosja përmban prova të forta kundër Samson, i cili tashmë ka pranuar krimin.
Sipas hetuesve, sjellja e tij pas vrasjes ka rënduar edhe më shumë pozitën e tij ligjore, pasi ai dyshohet se kishte dalë për të ngrënë menjëherë pas krimit, pa treguar asnjë shenjë pendese.
Në sallën e gjyqit ishin të pranishëm edhe prindërit e viktimës, Flamur dhe Gezime Sula, të cilët mbështetën kërkesën për burgim të përjetshëm.
“Nesër do të ishte ditëlindja e Ilarias. Burgimin e vërtetë të përjetshëm e kemi ne, sepse ai ende jeton, merr frymë, ha dhe pi, ndërsa vajza jonë i mbylli sytë përgjithmonë”, u shprehën ata mes lotësh.
