Lajme

“E pakuptimtë që një deputet të insistojë në një të pavërtetë”, Kryeziu i replikon Pacollit për bisedat me Radoiçiqin

Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu i ka replikuar deputetit të Kuvendit, Behxhet Pacollit për deklaratën e tij se kryeministri Albin Kurti ka qenë i pranishëm gjatë momentit kur ai po fliste në telefon me kryeterroristin Millan Radoiçiqin.

Kryeziu ka thënë për tëvë1 se është e pakuptimtë që një deputet i Kuvendit që dikur ka qenë ministër i Punëve të Jashtme të insistojë në një të pavërtetë.

Madje, Kryeziu thotë se Pacolli ka pasur komunikim të rregullt me Radoiçiqin ngase sipas tij ka qenë në koalicion me Listën Serbe.

“Z. Pacolli nuk ka nevojë t’i arsyetojë komunikimet që ka mundur t’i ketë me Radoiçiqin. Sepse tek e fundit ai ka qenë ministër i Qeverisë e cila është formuar me votat e Listës Serbe e për të cilat kanë pritur orë të gjata në Kuvend derisa ata ktheheshin nga Beogradi. Ai ka qenë në koalicion me Listën Serbe të Radoiçiqit. Besoj që komunikimin e kanë pasur të rregullt me ta”, thuhet në replikën e Kryeziut.

Ndryshe, deputeti i Kuvendit të Kosovës, Behgjet Pacolli për Tëvë1 të mërkurën ka thënë se një ditë para se Vjosa Osmani të zgjidhet presidente e shtetit, ka folur me Milan Radoiciqin në prezencën e presidentes Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti. Ai thotë se në këtë bisedë telefonike u peshkua një deputet për votimin e saj dhe praktikisht ajo u arrit.

Mirëpo, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu thotë se deklarata e Pacollit nuk është e vërtetë. /teve1.info/