Lajme

E pazakontë, burri zbulon se ka paguar faturën elektrike të fqinjit për 18 vite

Një banor nga Kalifornia ka zbuluar se ka paguar gabimisht faturën elektrike të fqinjit për 18 vite.

Ken Wilson, i cili jeton vetëm në apartamentin e tij në Vacaville që nga viti 2006, filloi të dyshonte për faturën e tij të energjisë kur vuri re një rritje të çmimit muajt e fundit.

Në përpjekje për të kuptuar situatën, ai bleu një pajisje për të monitoruar konsumin e energjisë elektrike në shtëpinë e tij. “Edhe kur fikja çdo aparat, sahati vazhdonte të tregonte konsum. Ishte e pabesueshme,” u shpreh ai për ABC7.

Pasi thirri teknikët për të kontrolluar sahatin, ata konfirmuan se ai kishte qenë duke paguar edhe për energjinë e apartamentit fqinj, ndoshta që prej vitit 2009, sipas kompanisë elektrike PG&E. Kompania është shprehur e përkushtuar për të zgjidhur çështjen dhe ka arritur një marrëveshje me Wilson për t’i kompensuar atë. Wilson, i cili tashmë ka ndryshuar banesë, tha se beson se ky gabim mund të ketë ndodhur për një periudhë edhe më të gjatë.