
3
Numri i rasteve të dhunës në familje në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Çdo ditë raportohen ngjarje të tilla ku viktima zakonisht janë gratë dhe vajzat që përjetojnë dhunë psikike e fizike kryesisht nga bashkëshortët e tyre.
Një rast i tillë është raportuar mbrëmë në Prishtinë, ku një grua ka kërkuar ndihmën e Policisë pas pesë viteve dhune të vazhdueshme nga bashkëshorti i saj.
Gazeta Sinjali mëson se më 16 korrik 2025, rreth orës 21:30, në rrugën “Haxhi Zeka” në Prishtinë, V.R., rreth 28-vjeçare, ka raportuar në Polici se është viktimë e dhunës fizike dhe psikike nga bashkëshorti i saj G.R.
Sipas deklarimeve të saj, dhuna ka qenë e vazhdueshme për një periudhë pesëvjeçare, dhe përkundër se ka raportuar raste të mëparshme, kërcënimet dhe presioni psikologjik kanë qenë të tillë që nuk ka guxuar të qëndrojë as te familja e saj.
Pas intervistimit, në bashkëpunim me organet përgjegjëse, ankuesja së bashku me tre fëmijët e saj është vendosur në një strehimore të sigurtë për mbrojtje emergjente.
Prokurori kujdestar është kontaktuar menjëherë dhe ka urdhëruar inicimin e rastit si “Dhunë në familje”, ndërsa veprimet e mëtejme ligjore janë në proces.