1
Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, në intervistën për Ditari Kosova në A2 CNN foli edhe për incizimin që u publikua mes saj dhe Milan Radoiçiç, njeriut i cilësuar si kryeterrorist dhe organizatorit të sulmit të Banjskës.
Ajo tha se biseda me Radoiçiçin është zhvilluar pas insistimit të Sllavko Simiç, nënkryetarit të Listës Serbe, që Kusari-Lila të bisedonte me njeriun më të kërkuar nga drejtësia kosovare.
“Asnjëherë nuk kam pasur kontakt të drejtpërdrejtë me Radoiçiç, as nuk i kam kërkuar, as nuk e kam synuar të marrim prej tipi çfarëdo miratimi për çështje që janë diskutuar, ka qenë insistimi në komunikim i nënkryetarit Simiq medoemos ta thërrasë Milan Radoiiçiç për të konfimuar që nuk do të ketë probleme në një proces i cili kishte të bënte me zbatimin e marrëveshjes së energjisë, ai komunikim ka ndodhur këtu, kur e ka nxjerrë telefonin dhe me insistimin e tij e ka thirr dhe pastaj si është përdor kur është publikuar biseda me Sllavko Simiq janë bërë tema, këputje të disa bisedave që Sllavko i ka incizuar të gjitha, ka qenë shkelje e ligjit mbi privatësinë por pastaj i janë dhënë konotacione politike”, tha ajo.
Sipas Kusari-Lilës, ky ka qenë një skenar i përgatitur nga Lista Serbe dhe më pas opozita në Kosovë e përdori për të krijuar mendim se Lëvizja Vetëvendosje bashkëpunon me Listën Serbe.
Ajo tha se edhe vetë ishte kërcënuar nga Milan Radoiçiç në qershor të vitit 2022.
“Në qershor të vitit 2022 në një bisede të fundit me Simiq në zyrën time, pasi ka lexuar një letër që ka qenë kërcënuese në një farë forme nga Milan Radoiçiç e kam nxjerrë jashtë dhe aty kam përfunduar komunikimin, asnjë komunikim tjetër, as për çështje tjetër nuk kam pasur”, tha Kusari-Lila në A2 CNN.
Në lidhje me ato incizime të publikuara, Kusari-Lila tha se ka tre procese gjyqësore, një për kërcënime ndaj saj që janë bërë nga individë për shkak të nxitjes së urrejtjes, një për Sllavko Simiq për regjistrim dhe shkelje të privatësisë dhe një për median që e publikoi. (A2 Televizion)