Kolesteroli është një nga temat më të diskutuara kur bëhet fjalë për shëndetin, por edhe një nga më të keqkuptuarat. Shumë njerëz e konsiderojnë atë si një armik të drejtpërdrejtë, duke u përpjekur ta eliminojnë plotësisht nga dieta. Në fakt, kolesteroli është një substancë jetike për organizmin tonë.
Problemi nuk qëndron thjesht te prania e tij, por te balanca dhe mënyra se si ndikohet nga ushqimi dhe stili i jetesës. Në lidhje me këtë temë, i ftuar në emisionin “Rreze Dielli” në Report TV, nutricionisti Altin Joka, ekspert i mjekësisë holistike, u ndal fillimisht te një nga pyetjet më të shpeshta: A e rrit veza kolesterolin?
“Kolesteroli nuk rritet nga një ushqim i vetëm, por nga mënyra e jetesës. Ai do të rritej nëse veza do të shoqërohej me yndyrna të hidrogjenizuara. Trupi ka mekanizmin e tij, 80 për qind e kolesterolit prodhohet nga mëlçia. Edhe personat që kanë probleme me kolesterolin mund ta konsumojnë vezën. Për më tepër, kolesteroli ka rol anti-inflamator, përdoret nga hormonet tona dhe është i domosdoshëm për vitaminën D”, thekson Joka
Sipas tij, kolesteroli bëhet shqetësim kur shfaqen probleme me mëlçinë ose kur ka disbalancë hormonale. Një rol të rëndësishëm luajnë trigliceridet, të cilat konsiderohen më problematike, pasi lidhen me rezistencën ndaj insulinës.
“Kujdes nga mishi i përpunuar, buka e bardhë dhe ushqimet e përpunuara. Ushqehuni shëndetshëm, por mos neglizhoni gjumin, stresin dhe jetën sedentare, pasi të gjitha këto ndikojnë drejtpërdrejt në balancën e kolesterolit”, këshillon nutricionisti.
Ushqime të rekomanduara për uljen e kolesterolit
Tërshëra është një pastrues shumë i mirë falë përmbajtjes së lartë të fibrave, të cilat ndihmojnë në largimin e kolesterolit nga organizmi. Gjithashtu rekomandohen farat dhe bishtajoret si bizelet, thjerrëzat, fasulet dhe qiqrat.
Avokado është një tjetër zgjedhje e shëndetshme, pasi përmban yndyrna të mira, kalium, fibra dhe antioksidantë.
Hudhra ndihmon në përmirësimin e qarkullimit të gjakut dhe uljen e nivelit të glicemisë.
Ndër të tjera, këshillohen edhe lëngu i karrotës, rukola, panxhari, vaji i murrizit, uthulla e mollës dhe aloe vera.
Çajra që ndihmojnë në kontrollin e kolesterolit
Çaji jeshil ndihmon në mbrojtjen e enëve të gjakut nga oksidimi.
Çaji i hibiskusit kontribuon në uljen e tensionit dhe kolesterolit, por nuk duhet përdorur për më shumë se dy javë rresht, pasi mund të dëmtojë veshkat.
Çaji i hithrës vepron si një detoks natyral për organizmin.
Gjithashtu rekomandohet edhe çaji i xhenxhefilit me limon
