Lajme

E vrau me armë zjarri dhe e hodhi në pus, rrëfehet autori i vrasjes së 31-vjeçarit shqiptar në Itali: E bëra …

Një 29-vjeçar italian ka pranuar autorësinë e vrasjes së Denaldo Maxhallakut, 31-vjeçarit shqiptar, trupi i të cilit u gjet të mërkurën në një pus në zonën e Longianos, në Itali. Sipas hetimeve paraprake, krimi dyshohet se ndodhi pas një konflikti për borxhe të lidhura me drogën.

“E bëra unë”, mësohet të ketë deklaruar 29-vjeçari nga zona e Cesenës, duke çuar në një zhvillim të rëndësishëm të hetimeve për vdekjen e shqiptarit, i cili punonte si bojaxhi dhe banonte në Gatteo a Mare.

Denaldo Maxhallaku ishte larguar nga banesa mbrëmjen e 8 tetorit, duke i thënë bashkëshortes se do të shkonte në një lokal dhe se do të takoheshin sërish në mbrëmje. Por ai nuk u kthye më në shtëpi, duke lënë pas bashkëshorten dhe vajzën e tyre vetëm një vjeçe.

Sipas rindërtimit paraprak të ngjarjes nga hetuesit, mbrëmjen e zhdukjes, Maxhallaku dhe 29-vjeçari janë takuar në banesën e këtij të fundit. Aty dyshohet se mes tyre ka nisur një debat, i cili më pas ka degjeneruar në dhunë.

Sipas hetimeve, 29-vjeçari, i cili përdorte lëndë narkotike, kishte grumbulluar borxhe të konsiderueshme për drogën. Gjatë konfliktit, ai dyshohet se ka nxjerrë një armë dhe ka qëlluar shqiptarin, duke i shkaktuar vdekjen.

“Kam pasur frikë për veten dhe familjen time, jam ndier i kërcënuar”, mësohet të ketë deklaruar i dyshuari, duke u përpjekur të shpjegojë veprimet e tij.

Ai ka rrëfyer gjithashtu se pas vrasjes kishte humbur kontrollin dhe kishte transportuar trupin e 31-vjeçarit, duke e hedhur në një pus pranë fushave, me qëllim fshehjen e krimit. Për të zhdukur gjurmët, i dyshuari dyshohet se i ka vënë flakën edhe automjetit të shqiptarit.

29-vjeçari ndodhet aktualisht në ambientet e karabinierëve në Savignano. Në orët në vijim pritet të transferohet në burgun e Forlit, ku do të qëndrojë në pritje të seancës për vleftësimin e ndalimit.

Ndërkohë, për të përcaktuar me saktësi shkaqet dhe rrethanat e vdekjes së 31-vjeçarit, pritet të caktohet ekspertiza mjekoligjore dhe të kryhet autopsia. Hetimet vijojnë për të dokumentuar plotësisht dinamikën e krimit dhe për të sqaruar çdo detaj të ngjarjes./Top Channel

Të Ngjashme