Një vajzë që ishte zhdukur në moshën 13-vjeçare në Arizona, SHBA, është gjetur gjallë pas plot 32 vitesh.
Christina Marie Plant ishte parë për herë të fundit më 16 maj 1994 në Star Valley, në verilindje të Phoenix.
Autoritetet nuk kanë dhënë detaje të plota mbi rrethanat që çuan në zbulimin e saj, por kanë bërë të ditur se teknologjia ka luajtur një rol kyç në nxjerrjen e të dhënave të reja. Po ashtu, nuk është bërë e ditur se ku dhe kur është gjetur ajo.
Në kohën e zhdukjes, Christina kishte dalë nga shtëpia për të parë kalin e saj në një stallë. Rasti u konsiderua “i dyshimtë”, ndërsa autoritetet paralajmëruan se ajo ishte në rrezik. Fletëpalosje me fotografinë dhe përshkrimin e saj, e veshur me bluzë të bardhë, pantallona të shkurtra shumëngjyrëshe dhe atlete të zeza, u shpërndanë në nivel lokal dhe kombëtar.
Sipas zyrës së sherifit, çështja mbeti e hapur ndër vite, me hetuesit që rishikonin vazhdimisht provat dhe kërkonin informacione të reja. “Pas 32 vitesh, Christina Marie Plant është gjetur gjallë”, thuhet në deklaratë.
Autoritetet theksuan se nuk do të publikojnë më shumë detaje për rastin, duke respektuar privatësinë dhe mirëqenien e saj.
