LifeStyle

Ecja këmbëzbathur, kufiri i mirëqenies që ndihmon zemrën, mendjen, muskujt dhe nyjet

Me siguri keni dëgjuar tashmë për të: të ecësh këmbëzbathur do të thotë të ecësh pa këpucë, zbathur, por është një aktivitet që shkon përtej fjalëve që e përbëjnë. Në fakt, nuk bëhet fjalë vetëm për të ecur zbathur mbi pllaka apo parketin në shtëpi, një zakon që mund ta keni tashmë. Është një përvojë ndryshe, e cila bazohet në perceptimet fizike që trupi, nëpërmjet këmbëve, merr nga kontakti me tokën.

Dhe me tokë nënkuptojmë tokat natyrore më të larmishme, nga bari në rërë e deri te një sipërfaqe me lëvore ose guralecë të depozituar në shtratin e një lumi. 

Zbathur për të përmirësuar qëndrimin dhe ekuilibrin

Kushdo që e provon nuk kthehet më pas dhe nuk humbet asnjë rast për të hequr këpucët sapo të gjendet në lëndinë. Përfitimet e të qenit zbathur janë në fakt të shumta. Ecja zbathur ndihmon në përmirësimin e qëndrimit tuaj, sepse gjatë lëvizjes përdorni të gjithë harkun e këmbës, duke stërvitur të gjithë muskujt e këmbës (me këpucë, megjithatë, pesha zhvendoset pothuajse tërësisht në thembër), plus riaktivizon qarkullimin, duke forcuar gjymtyrët më të ulëta dhe gjithashtu promovon një ekuilibër më të madh.

“Nëse u referohemi parimeve të mjekësisë tradicionale kineze, mund të themi se të qëndruarit këmbëzbathuri freskon idetë tona, sepse lëviz nxehtësinë nga koka jonë, shpesh e bllokuar me mendime dhe shqetësime, në ekstremitetet e trupit. Pak si refeksologjia e këmbëve, duke stimuluar meridianët miofascialë që gjenden poshtë shputës. Kontakti me natyrën përmes terrenit na shtyn të zhvendosim vëmendjen tonë, në perceptimin e botës përreth nesh, duke stimuluar qetësinë dhe duke lehtësuar mendimet tona” shpjegon Francesca Filippi, mësuese e jogës në Itali.

Rëndësia e alternimit të sipërfaqeve të ndryshme

Përgjatë një udhëtimi zbathur, lloje të ndryshme terreni alternohen. Por pse? A nuk mjafton thjesht ecja zbathur, kudo që të jetë? Jo, dhe arsyeja është se pas ecjes për disa qindra metra në bar, këmba mësohet me atë ndjesi dhe mendja tenton të largohet përsëri. Për më tepër, edhe nga pikëpamja e mirëqenies fizike, këmba duhet të vihet në provë. Ndryshimi i tokës, dhe për rrjedhojë një stimulim i ndryshëm nga ai i mëparshmi, na rifokuson në momentin e tanishëm dhe vepron në pika të ndryshme të trupit, duke shkrirë tensionet e brendshme, siç e mbështet gjithmonë mjekësia tradicionale kineze.

Një hap tjetër themelor tipik i udhëtimeve zbathur është të zhytësh këmbët  në ujin e ftohtë të një përroi, çka stimulon kthimin venoz dhe limfatik, relakson sistemin nervor dhe nervin vagus, ul rrahjet e zemrës dhe stimulon prodhimin e dopaminës. Pak si ajo që ndodh kur bëjmë një dush të ftohtë. Edhe këtu shkojmë përtej aspektit fizik, sepse ndihemi menjëherë më të zgjuar dhe më reagues.

Ecja zbathur, rregulloni frymëmarrjen

Gjithçka duket shumë e thjeshtë dhe është: thjesht lëreni veten të rrëmbeheni nga kurioziteti dhe dëshira për të përjetuar emocione të reja. Por në realitet mund të hasen disa vështirësi, veçanërisht në fillim, kurecet për herë të parë këmbëzbathur. “Jo të gjithë ndihen rehat duke hequr këpucët dhe duke qenë zbathur pranë njerëzve të tjerë. Ata e konsiderojnë atë një pjesë intime të trupit. Në këto raste duhet t’i jepni kohë vetes të eksperimentojni”, vijon ekspertja.

Ndoshta filloni të praktikoni ecjen këmbëzbathur pa hequr çorapet. Në sipërfaqe të caktuara, për shembull ato të mbuluara me guralecë ose gurë, mund të përjetoni pak siklet me afrimin e parë. Por rrugët më të vështira nuk janë kurrë shumë të gjata dhe në çdo rast në këto raste hyjnë në lojë frymëmarrja e thellë dhe përqendrimi, të cilat janë thelbësore për të përballuar pasazhet më të “dhimbshme”.

Në fakt, nëse ne acarohemi, bezdisja dhe vështirësia shtohen. Në vend të kësaj, ne duhet të qëndrojmë të qetë. “Ndërsa ecni zbathur, sido që të jetë toka, është mirë t’i kushtoni vëmendje mënyrës se si mbështetet këmba në tokë. Nëse e bëjmë gabimisht ose pa vetëdijen e duhur, ekziston rreziku që të lëndohemi ose të ndikojmë negativisht në qëndrimin tonë. Sa më e sigurt të jetë ecja, aq më të mëdha do të jenë implikimet pozitive për sa i përket ekuilibrit dhe forcimit të muskujve të këmbës” shpjegon ekspertja./Living