Procesi i numërimit të votave nga zgjedhjet e 7 qershorit po i afrohet përmbylljes, ndërsa Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përditësuar të dhënat preliminare me pothuajse të gjitha kutitë e votimit të numëruara.
Sipas rezultateve më të fundit, janë përpunuar 2.484 nga gjithsej 2.498 kuti votimi, që përbëjnë 99.44 për qind të votave të rregullta në nivel vendi.
Në garën për subjektin më të votuar vazhdon të prijë Lëvizja Vetëvendosje me 297.363 vota, duke siguruar 42.91 për qind të mbështetjes së deritanishme. Pas saj renditet Partia Demokratike e Kosovës me 146.108 vota ose 21.08 për qind.
Lidhja Demokratike e Kosovës mban vendin e tretë me 121.987 vota, që përkthehen në 17.60 për qind të votave të numëruara, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka siguruar 49.712 vota apo 7.17 për qind.
Me përfundimin e numërimit të kutive të rregullta të votimit, fokusi i procesit zgjedhor do të zhvendoset në Qendrat Komunale të Numërimit, ku do të bëhet verifikimi i materialeve zgjedhore dhe numërimi i votave për kandidatët për deputetë.
Rezultatet e publikuara deri më tani mbeten preliminare, pasi në bilancin përfundimtar do të përfshihen edhe votat e diasporës, votat me kusht dhe kategoritë e tjera të veçanta, të cilat do të ndikojnë në shpalljen e rezultatit zyrtar të zgjedhjeve. /teve1.info/
Më pak votues, më pak vota – Ky është bilanci i partive pas zgjedhjeve, LDK-ja e vetmja me rritje
