Shëndetësi

Edhe të rinjtë janë të rrezikuar nga artriti reumatoid

Momenti kur Lady Gaga foli hapur për sfidën e përballjes së përditshme me dhimbjet kronike të artritit reumatoid, ishte domethënës për arsyen se shumë njerëz nuk e dinin që kjo sëmundje mund të prekë edhe vajza dhe gra të shëndetshme.

Çfarë është artriti reumatoid?

Kjo është një sëmundje autoimunitare e cila shfaqet kur sistemi imunitar i njeriut del nga shinat dhe sulmon organizmin.

Një sulm i tillë kryhet nga rruazat e bardha të gjakut që në vend se të sulmojnë bakteret dhe infeksionet, godasin indet e shëndetshme rreth kyçeve.

Kjo sëmundje shkakton dhimbje shumë të forta, ngurtësim të kyçeve dhe enjtje të tyre.

Dhimbja është simptoma kryesore që karakterizon këtë sëmundje. Ajo në fillim nis tek gishtat dhe më pas përhapet tek kyçet, shpatullat, ijet dhe gjunjët.

Dhimbja e kyçeve të dorës është një tregues i rëndësishëm në diagnostikimin e kësaj sëmundjeje, e cila në mënyrë të mistershme ka tendencën të shfaqet në çdo grupmoshë dhe kryesisht prek më shumë gjininë femërore.

Arsyet se përse femrat vuajnë më shumë nga kjo sëmundje është ende e panjohur por hipotezat mjekësore flasin për faktorin genetik apo hormonal.

Artriti reumatoid dhe brezi i të rinjve të mijëvjeçarit

Sipas të dhënave të vitit 2017, 54 milionë njerëz në botë ishin të diagnostikuar me artritin reumatoid dhe 8 milionë prej tyre konsiderohen i përkasin të ashtuquajturit ‘brezi i të rinjve të mijëveçarit,” një term që përfshin të lindurit në fillim të viteve ‘80 deri në mesin e viteve ‘90.

Si mundet që kaq shumë të rinj të preken nga kjo sëmundje? Një faktor kryesor, sipas ekspertëve, është teknologjia.

Ky brez që përfshin grupmoshën 24-39 vjeç është gjithë kohën me telefon në dorë.

Duart janë gjithnjë të zëna, në mos me telefon, me kompjuter, tablet, lojra, telekomandë e të tjera si këto.

Këto lëvizje të përsëritura të duarve shkaktojnë një stres të tmerrshëm në kyçe dhe krijojnë predispozitën e shfaqjes së artritit.

Një argument tjetër i rëndësishëm është se shumë prej të rinjve të këtij brezi, në maninë e të mbajturit të trupit sa më në formë, kryejnë ushtrime të rënda fizike dhe me intensitet të lartë.

Nëse këto ushtrime kryhen rregullisht për një kohë të gjatë, atëherë të parat që do të vuajnë janë kycet.

Duhanpirja dhe mbipesha janë faktorë të rëndësishëm gjithashtu. Ky brez renditet si ndër duhanpirësit më të mëdhenj ndërkohë që ekspertët paralajmërojnë se pritet të jenë mbipeshë ose obezë kur të arrijnë në moshën e mesme. /AgroWeb