LifeStyle

Edukata dhe dija janë “dy anë të monedhës”

Edukata në njërën anë, si dhe dija në anën tjetër, janë dy anë të monedhës, të cilat gjithherë duhet të jenë paralele, duke e plotësuar njëra-tjetrën e assesi të ndara.

Një monedhë e cila ka vetëm njërën anë si duhet, kurse anën tjetër jo si duhet, këtë monedhë nuk e çmon askush, as njeriu që e posedon, madje as “tregu në të cilin shitet”.

Është thënë bukur që moti se, edukata i paraprinë dijes, jo për faktin se është e para për nga gjeneza, por për faktin të rëndësisë dhe peshës që posedon.

Nuk mendohet një i ditur pa edukatë, ngase nëse dija që posedon nuk ndikon pozitivisht në edukatën e tij, atëherë themi: “Çfarë dije qenka kjo?”. Po njësoj, nuk mendohet as një i edukuar pa dije, ngase nëse edukata që ka nuk ndikon pozitivisht për nxënien e dijes, atëherë pyes: “Çfarë edukate na qenka kjo?”.

Pra, pas gjithë kësaj vëmë re se edukata dhe dija janë dy komponente esenciale për të formuar një personalitet “të përkryer” në rrafshin njerëzor. Njeriut të cilit i mungon cila nga këto dy komponente, ky njeri kurrë në jetën e tij nuk do jetë i suksessshëm, por do mbetet njeri i gjorë, nën blozën e paedukatës dhe injorancës.

Nuk ka petk më të bukur që mund t’i mvishet dijes, sesa edukata. Kjo e fundit përbën shpirtin dhe thelbin e dijes. Le të jetë përfund një mesazh të cilin e përçon vetë titulli i këtij punimi: “Edukata le t’i paraprijë dijes, nëse dëshirojmë që kjo dije të jetë e dobishme dhe kjo edukatë të reflektojë pozitivisht”.