Shëndetësi

Ekinokokoza alveolare, rriten rastet në Europë: çfarë është dhe pse është vdekjeprurëse për njeriun

Ekinokokoza është një shirit i vogël parazit, i pajisur si me aparatin gjenital mashkullor ashtu edhe me atë femëror. Ai prek kryesisht dhelprat dhe brejtësit e vegjël të egër, por mund të infektojë edhe qentë dhe macet shtëpiake, sidomos në zonat rurale. Ky parazit është i përhapur vetëm në hemisferën veriore dhe mund të infektojë njeriun në rast kontakti aksidental me vezët e tij.

Ekinokokoza alveolare: si përhapet

Gjatë 25 viteve të fundit, në Europë janë regjistruar rreth 4.200 raste të ekinokokozës alveolare te njerëzit, e cila sillet ngjashëm me një tumor malinj për shkak të përhapjes së parazitit në organet e brendshme, duke nisur nga mëlçia. Infeksioni te njeriu mund të ndodhë përmes ujit ose ushqimit të ndotur, me gëlltitjen e vezëve të parazitit. Italia ka raportuar vetëm 3 raste në vitin 2023, ndërsa sëmundja është shumë më e përhapur në Austri, Gjermani, Francë dhe Zvicër. Ajo është gjithashtu endemike në Ballkan, Turqi, pjesë të Kinës, disa zona të SHBA-së dhe Kanadasë. Sipas një studimi të koordinuar nga Instituti i Lartë i Shëndetit në Itali, rastet në Europë janë rritur në periudhën 2021-23, megjithëse ka gjasa që numri real të jetë më i madh.

Image

Pasojat tek njeriu

Studimi thekson se ekinokokoza alveolare po përhapet sidomos në Alpe dhe në vendet Baltike. Edhe pse mortaliteti është i ulët nëse diagnostikohet dhe trajtohet në kohë, shqetësimet lidhen me pasojat afatgjata. Pacientët shpesh kanë nevojë për trajtim gjatë gjithë jetës, ndonjëherë edhe për transplant të mëlçisë, gjë që, përveç barrës shëndetësore, sjell edhe një ndikim të madh psikologjik. Paraziti fillon nga mëlçia dhe më pas mund të pushtojë organet abdominale, kockat, nyjet limfatike, mushkëritë dhe sistemin nervor qendror.

Image

Sëmundja dhe diagnostikimi

Transmetimi ndodh përmes gëlltitjes aksidentale të vezëve të parazitit. Në shumë raste, infeksioni mbetet i fshehur për vite me radhë derisa kistet të prekin organet jetike. Simptomat shpesh ngjajnë me ato të një tumori: kistet rriten duke shkatërruar indet përreth, çka mund të shkaktojë insuficiencë hepatike dhe vdekje. Kur lokalizohen në mëlçi, japin dhimbje abdominale ose masa të dukshme, ndërsa bllokimi i kanalit biliar çon në verdhëz. Ruptura e një kisti në kavitetin peritoneal apo në mushkëri mund të shkaktojë ethe ose urtikarie; në mushkëri mund të japë kollë, dhimbje gjoksi dhe hemorragji.

Për diagnostikim përdoren ekografia, radiografitë e barkut dhe testet serologjike. Trajtimi ndryshon sipas gjendjes: kirurgjia është opsioni më i mirë dhe shpesh kurativ, sidomos në rastet me kiste të komplikuara. Për kistet simptomatike, që nuk janë aktive, mjafton vetëm vëzhgimi, ndërsa në disa raste përdoren edhe trajtime farmakologjike, gjithmonë nën mbikëqyrjen e mjekut.

Të Ngjashme