Eksperi i sigurisë, Bedri Elezi, në një prononcim për “Bota sot” i ka komentuar deklaratat e Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiqi rreth aleancës në mes të Kosovës-Shqipërisë-Kroacisë.
Elezi ka thënë se Vuçiqi, e ka konsideruar bashkëpunimin Kosovë-Shqipëri-Kroaci në çështjet e sigurisë, veçanërisht në fushën ushtarake dhe prodhimin e armëve, si një rrezik për Serbinë.
Ai ka shtuar Vuçiqi e sheh këtë si kërcënim për Beogradin, dhe për këtë arsye reagon kundër bashkëpunimit rajonal, ndërkohë që vendet anëtare të NATO-s rrisin koordinimin për t’u përballur me sfidat globale të sigurisë.

Eksperi i sigurisë, Bedri Elezi
“Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar edhe në të kaluarën se është një rrezik serioz për Serbinë bashkëpunimi i Kosovë-Shqipëri-Kroaci në çështjet e sigurisë, veçanërisht në fushën ushtarake dhe prodhimin e armatimeve, të cilat aktualisht konsiderohen kërkesë e madhe në Evropë për industrinë e armëve.
Po ashtu, në kuadër të bashkëpunimit është theksuar fakti se ushtrimi i këtij bashkëpunimi zhvillohet sidomos në çështjet që lidhen me burimet njerëzore, trajnime dhe shkëmbimin e informacionit, duke ndikuar drejtpërdrejt në sigurinë e vendeve ballkanike nga ndikimi i Serbisë.
Duke parë këtë angazhim të shteteve të Ballkanit, edhe pse ato janë anëtarë të NATO-s, Vuçiqi e percepton si kërcënim për Beogradin zyrtar, i cili ka pretendime territoriale ndaj vendeve tona, veçanërisht ndaj Kosovës dhe Bosnjës. Andaj, reagimet e Beogradit zyrtar lidhen me dëshirën që të mos ketë bashkëpunim rajonal, ndërkohë që energjia e mbrojtjes të përqendrohet në NATO. Në fakt, për shkak të zhvillimeve globale, vendet po bashkëpunojnë më shumë, dhe bashkëpunimi mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë është konsideruar i nevojshëm për t’iu përgjigjur sfidave të sigurisë që mund të lindin”, ka thënë ai.
Gjithashtu, Elezi ka shtuar se takimet në Mynih kanë lejuar Kosovën, Shqipërinë, Kroacinë dhe ndoshta Bullgarinë të diskutojnë partneritete ushtarake dhe çështje inteligjence.
Sipas tij, Deklaratat e Vuçiqit tregojnë se Serbia ka plane për të cenuar sigurinë e vendeve ballkanike, ndërsa bashkëpunimi i vendeve anëtare të NATO-s pengon veprimet e saj.
Në fund, Elezi ka theksuar se Beogradi mbetet rrezik i vazhdueshëm për sigurinë rajonale dhe një kërcënim potencial për NATO-n.
“Takimet e realizuara në Mynih kanë mundësuar që vendet si Kosova, Shqipëria, Kroacia, dhe ndoshta edhe Bullgaria, të kenë komunikime për çështje konkrete, për organizimin e partneriteteve ushtarake dhe fushave që ndoshta nuk janë publike, duke përfshirë inteligjencën dhe produktet inteligjente.
Ky deklarim i Vuçiqit tregon qartë se Serbia ka plane konkrete për cenimin e sigurisë së vendeve ballkanike, konkretisht të vendeve tona. Për më tepër, kjo iniciativë e vendeve ballkanike, anëtare të NATO-s, pengon në mënyrë të drejtpërdrejtë veprimet e Serbisë dhe shihet si një angazhim i ri për të adresuar rreziqet që mund t’u vijnë nga Serbia në të ardhmen.
Ne mund të themi se deklaratat e tilla nga Beogradi zyrtar do të vazhdojnë edhe në të ardhmen, duke treguar se Serbia mbetet një rrezik i vazhdueshëm për sigurinë në Ballkan, si dhe një kërcënim potencial për NATO-n, pasi përdor Beogradin zyrtar për të minuar angazhimet e SHBA-ve dhe aleatëve të tjerë”, ka përfunduar Elezi.
