Shëndetësi

Ekspertët këshillojnë shmangien e alkoolit gjatë fundjavës për shkak të polenit

Personat që vuajnë nga alergjitë sezonale mund të kenë arsye të forta për të shmangur disa pije gjatë fundjavës, veçanërisht në një kohë kur nivelet e polenit pritet të jenë të larta.

Sipas parashikimeve, përqendrimi i polenit të pemëve do të arrijë nivele të larta, duke rritur ndjeshëm rrezikun për simptoma të tilla si teshtima, bllokim i hundëve dhe kruarje e syve. Në këto kushte, ekspertët sugjerojnë kufizimin e konsumit të alkoolit, pasi ai mund të përkeqësojë reagimet alergjike.

Arsyeja kryesore lidhet me përmbajtjen e histaminës në shumë pije alkoolike. Histamina është një substancë natyrale që lirohet nga sistemi imunitar gjatë reaksioneve alergjike dhe ndikon në intensifikimin e simptomave. Konsumimi i alkoolit, që përmban këtë përbërës, mund të rrisë më tej shqetësimet tek personat e ndjeshëm.

Sipas mjekëve, kjo krijon një kontradiktë edhe për ata që përdorin antihistaminikë, pasi ndërkohë që medikamentet synojnë të ulin efektin e histaminës, alkooli mund ta shtojë atë në organizëm.

Veçanërisht vera e kuqe konsiderohet problematike, pasi përmban nivele më të larta histamine për shkak të procesit më të gjatë të fermentimit. Në krahasim, pijet e forta të distiluara si vodka, xhini apo rumi i bardhë kanë përmbajtje më të ulët, ndërsa disa verëra të bardha mund të jenë më pak problematike.

Megjithatë, specialistët theksojnë se alternativa më e sigurt në ditët me nivel të lartë poleni mbetet shmangia e plotë e alkoolit, për të reduktuar sa më shumë simptomat e alergjisë.

Të Ngjashme