Kërkesat për hundë më të vogël, buzë më të plota dhe botoks vetëm po shtohen. “Këto janë dëshirat kryesore nga djemtë dhe vajzat e reja që hyjnë sot në zyrën e një kirurgu plastik. Gjithmonë e më shumë të rinjtë po u drejtohen trajtimeve për të arritur perfeksionin”, shpjegon Erik Geiger, specialist i ndërhyrjeve kirurgjikale.
Problemi më i madh, sipas analizës së bërë prej tij dhe mediave, është fakti se rrjetet sociale promovojnë çdo ditë diçka të re, e cila i nxit njerëzit të shkojnë drejt mono-kulturës së të qenurit të gjithë njësoj.
Ka disa karakteristika fizike që promovohen si e tashmja e bukurisë, të cilat tërheqin në vorbull njerëz që duan të bëjnë gjithçka për t’i arrirë.
Çdo ndërhyrje bëhet vetëm me një qëllim: T’i afrohemi standardit të bukurisë që promovohet tani.
Mjekët theksojnë se është shumë e vështirë që çdo njeri të përshtatet vetëm me një ideal bukurie. Por të rinjtë nuk janë të vetdijshëm për këtë.
Sugjerimi i ekspertëve vë theksin tek edukimi nga mjekët, si qasja e parë e vërtetë me problemin dhe zgjidhjen e tij.
Sipas tyre, mjekët duhet të jenë të kujdesshëm me informimin, me detajet që shpjegojnë dhe me këshillimin në rrugën e ndërhyrjeve. Ata duhet të sugjerojnë konsultë me psikologë para se të rinjtë të marrin vendime drastike dhe të flasin hapur mbi pasojat apo problemet që shkaktohen nga ndërhyrjet plastike.