Shëndetësi

Ekspertët zbulojnë se marihuana mund të ndikojë në fertilitet

Një studim i publikuar në qershor zbuloi se përdorimi i raportuar i kanabisit gjatë muajit të kaluar nga gratë shtatzëna në SHBA është më shumë se trefishuar nga viti 2002 deri në 2020. Kjo rritje po ngre shqetësime serioze mes ekspertëve të shëndetit publik.

Studime të mëparshme e kanë lidhur përdorimin e marijuanës gjatë shtatzënisë me autizmin, peshën e ulët në lindje, lindjet e parakohshme, zhvillimin e dobët të fetusit dhe madje edhe vdekjen.

Studimi i ri, i udhëhequr nga Cynthia Duvall, gjatë kohës që ishte postdoktorante në Universitetin e Torontos, është i pari që shqyrton se si THC – përbërësi kryesor psikoaktiv i kanabisit – ndikon në vezët dhe folikulat ovariane. Analiza përfshiu mbi 1,000 mostra të lëngut ovarian nga paciente që trajtoheshin për infertilitet.

Rezultatet treguan se oocitet nga pacientet THC-pozitive kishin një nivel më të lartë të pjekurisë, por krijonin më pak embrione me numrin e saktë të kromozomeve. Ekspozimi i vezëve të papjekura ndaj THC në kushte laboratorike për 24 orë solli ndryshime në strukturat që ndihmojnë ndarjen e kromozomeve, duke rritur rrezikun për dështim embrional.

“Po, kemi më shumë oocite të pjekura, por me çfarë kostoje, nëse ato nuk kanë kromozomet e duhura?”, tha Duvall, duke paralajmëruar se studimi tregon vetëm një lidhje dhe jo shkak-pasojë të drejtpërdrejtë.

Ekspertët theksojnë se fuqia e THC-së është katërfishuar që nga viti 1995, duke shtuar rrezikun e pasojave shëndetësore për përdoruesit dhe fëmijët e tyre të ardhshëm.

“Me këtë informacion, pacientët mund të marrin në konsideratë uljen e përdorimit të kanabisit për të zbutur efektet negative tek foshnjat e tyre,” shtoi Duvall.

Shkencëtarët thonë se duhen më shumë studime për të kuptuar plotësisht ndikimin e THC-së në fertilitet dhe zhvillimin e shëndetshëm të fetusit.

Të Ngjashme