Suksesi dhe lumturia në të ardhmen varen nga aftësia për të marrë rreziqe të menduara mirë, thekson shkencëtari dhe profesori i Harvardit, Arthur Brooks. Në librin e tij të fundit Dosja e Lumturisë, i botuar më 12 gusht, Brooks argumenton se jeta duhet trajtuar si një “startup”, ku guximi dhe menaxhimi i rreziqeve çojnë drejt shpërblimeve më të mëdha.
Sipas tij, çdo hap i rëndësishëm – që nga ndryshimi i karrierës, marrja e një kredie, deri tek ndërtimi i një marrëdhënieje – është i mbushur me pasiguri, por mund të sjellë kontroll më të madh mbi jetën dhe kënaqësi më të thellë. Brooks paralajmëron se frika nga keqardhja shpesh i mban njerëzit larg vendimeve të guximshme, duke u mohuar atyre mundësinë për të përjetuar rritje dhe sukses.
Ai rekomandon që vendimet e rrezikshme të shoqërohen me analiza të kujdesshme, duke peshëruar rezultatet e mundshme, siç vepron një sipërmarrës para nisjes së një biznesi të ri. Për ata që kanë vështirësi të përballen me rreziqe të mëdha, Brooks sugjeron fillimin me “mikro-rreziqe” të përditshme, si një mënyrë për të ndërtuar vetëbesim dhe guxim.
“Vetëm kur përballesh me të panjohurën dhe zgjedh të bësh atë që është e vështirë, ti bëhesh personi që dëshiron të jesh,” shkruan Brooks, duke nënvizuar se rreziku i llogaritur është çelësi i një jete më të lumtur dhe më kuptimplote.
