Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se Beogradi është i shqetësuar për bashkëpunimin ushtarak mes Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës, duke e cilësuar atë si kërcënim serioz për vendin e tij.
E pas kësaj deklarate ka pasur reagime të mëdha mirëpo që e njejta deklaratë nga Vuçiq nuk u përkrahë as nga ndërkombëtarët.
Së fundmi është shkrimtari dhe ish-lideri i opozitës serbe, Vuk Drashkoviq në një intervistë për portalin malazes “Pobjeda”, ka deklaruar se Serbia nuk është çliruar realisht nga sistemi i ndërtuar nën regjimin e Sllobodan Millosheviqit, pasi i njëjti mentalitet politik vazhdon të dominojë edhe sot.
Ai përmendi edhe aleancën ushtarake Kosovë, Shqipëri-Kroaci përt ë cilën Vuçiq deklaroi se gjoja paraqet rrezik për Serbinë, Drashkoviq theksoi se retorika e frikës përdoret për të justifikuar armatimin, ndërsa rreziku i vërtetë, sipas tij, vjen nga ndikimi rus në politikën e brendshme.
Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur eksperti i sigurisë, Fidair Berisha.
Eksperti i sigurisë po thotë se deklaratat e Vuçiqit për një kërcënim nga Kosova, Shqipëria dhe Kroacia janë më shumë propagandë politike sesa rrezik real ushtarak.
Ai sugjeron se këto deklarata përdoren për qëllime të brendshme, si mobilizimi i opinionit publik dhe justifikimi i shpenzimeve për armatim.
“Retorika e presidentit Aleksandar Vuqiq , sipas së cilës Serbia kinse ndihet e kërcënuar nga aleanca Kosovë-Shqipëri-Kroaci, duhet parë në kontekst politik dhe jo si një rrezik real ushtarak për Serbinë. Dihet se këto tri vende janë të orientuara drejt integrimeve euroatlantike, ku NATO përbën kornizën kryesore të sigurisë për Shqipërinë dhe Kroacinë, ndërsa Kosova bashkëpunon ngushtë me strukturat perëndimore të sigurisë.
Po ashtu, këto vende historikisht kanë zhvilluar luftëra mbrojtëse dhe asnjëherë nuk kanë pasur për qëllim ndërmarrjen e ndonjë ofensive kundër Serbisë. Prandaj, deklarimet e presidentit Vuqiq për një kërcënim të tillë lidhen më shumë me nevojën për mobilizim të brendshëm politik dhe mund të përdoren vetëm si justifikim për investimet në armatim para bashkësisë ndërkombëtare”, u shpreh ai.
Duke vazhduar tutje, Berisha shton që politika në Serbi ende ndikohet nga mendësia e kohës së Millosheviqit, sidomos në qëndrimin ndaj Kosovës, pavarësisht disa ndryshimeve formale demokratike.
Gjithashtu, ai thekson se ndikimi i Rusisë është i fortë dhe për këtë arsye Serbia pritet të vazhdojë politikën e saj të afërt me Rusinë pa ndryshime të mëdha.
“Deklarata e Vuk Drashkoviq pasqyron vazhdimësinë e kulturës politike në Serbi, të ngjashme me atë të periudhës së Slobodan Millosheviqit . Përkundër faktit se Serbia ka bërë disa ndryshime formale institucionale dhe ka avancuar në disa procese demokratike, diskursi politik, sidomos në raport me Kosovën, mbetet në shumë aspekte i njëjtë me atë të së kaluarës.
Ndërsa ndikimi i Rusia është real dhe i shumëanshëm, i ndërtuar përmes lidhjeve historike, kulturore e fetare, por edhe përmes energjisë, mediave dhe bashkëpunimit ushtarak. Andaj, nuk pritet ndonjë ndryshim thelbësor nga qeveritë në Serbi, përveç vazhdimësisë së një politike të afërt me Rusinë”, shpjegoi ai.
Në fund, eksperti nënvizon që Serbia po përpiqet të balancojë mes integrimit në BE dhe lidhjeve të ngushta me Rusinë e Kinën, duke vazhduar armatimin, çka kërkon vëmendje nga Bashkimi Evropian për sigurinë rajonale.
“Kohëve të fundit, Serbia po ndjek një politikë balancimi, duke tentuar të përfitojë nga të dyja anët,njëra anë synon integrimin në Bashkimin Evropian, ndërsa nga ana tjetër jo vetëm që ruan marrëdhënie të ngushta me Rusinë dhe Kinën, por edhe vazhdon të armatoset nga këto dy shtete. Kjo është një çështje që do të duhej të ndiqej me kujdes nga Bashkimi Evropian, duke pasur parasysh implikimet për sigurinë rajonale”, përfundoi eksperti i sigurisë, Fidair Berisha për “Bota sot”.
