Në Dhomat e Specializuara të Kosovës ka vazhduar gjykimi ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe bashkë të akuzuarve të tjerë, ku dëshminë e saj e ka nisur ekspertja australiane e forenzikës linguistike, Helen Fraser.
Fraser, e propozuar nga ekipet mbrojtëse, ka konfirmuar përmbajtjen e raportit të saj ekspertues, i cili lidhet me analizimin e audio-incizimeve me zëra që konsiderohen të vështira për t’u interpretuar dhe kuptuar.
Në këtë proces gjyqësor, përveç Thaçit, të akuzuar janë edhe Hajredin Kuçi, Bashkim Smakaj, Isni Kilaj dhe Fadil Fazliu. Rasti lidhet me pretendimet për pengim të drejtësisë dhe vepra kundër administrimit të drejtësisë.
Sipas aktakuzës, ndaj Thaçit rëndojnë disa akuza, përfshirë tentativën për pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave të tyre, shkeljen e fshehtësisë së procedurës dhe mosbindjen ndaj gjykatës. Ndërkaq, ndaj Kilajt, Smakajt dhe Fazliut janë ngritur akuza për tentativë të pengimit të personave zyrtarë dhe mosbindje ndaj gjykatës, ndërsa Kuçi përballet me akuza për mosbindje ndaj gjykatës. Zyra e Prokurorit të Specializuar pretendon se Thaçi, gjatë vizitave të të akuzuarve në qendrën e paraburgimit, u ka dhënë udhëzime lidhur me komunikimin me dëshmitarët në rastin tjetër që lidhet me krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
