E nderuara Kryetare e Kuvendit të Republikës znj. Albulena Haxhiu,
Të nderuar nënkryetar të Kuvendit të Republikës, Ardian Gola, Kujtim Shala, Emilija Rexhepi dhe Tanja Vujoviq,
Të nderuar deputetë të Kuvendit,
Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës,
Të nderuar anëtarë të korit diplomatik,
Familje të dëshmorëve të kombit, invalidë e veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,
Të nderuar zyrtarë të shtetit tonë,
Zonja dhe zotërinj,
Ju përgëzoj për konstituimin e Kuvendit të legjislaturës së 11-të, dhe për funksionet dhe përgjegjësitë e reja që i keni marrë. Ju faleminderit secilës e secilit, për angazhimin dhe besueshmërinë që tregoni ndaj shtetit tonë të përbashkët.
Këto ditë të gjithë jemi në ankth në prag të vendimit të procesit gjyqësor ndaj drejtuesve të UÇK-së: Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit dhe Kadri Veselit. Kërkesa e prokurorisë është e padrejtë dhe e pabesueshme, sepse është në shpërputhje me të vërtetën historike të popullit tonë dhe drejtësinë e luftës sonë çlirimtare.
Qëndrimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës që unë e drejtoj është i njëjtë dhe i qartë: në Kosovë janë kryer krime kundër njerëzimit, krime lufte dhe gjenocid ndaj popullatës civile shqiptare. Ato i ka kryer regjimi i Jugosllavisë së Serbisë, nën Millosheviqin. Asnjë gjykatë vendore apo ndërkombëtare nuk mund ta njollosë UÇK-në.
Të nderuar deputetë,
Nuk do të kem ekspoze të re realisht, ngaqë këto zgjedhje të përsëritura vetëm se na e kanë ndërprerë qeverisjen e njëjtë, andaj do të përpiqem të jem më i shkurtër dhe të prezantoj kabinetin e ri qeverisës.
Vizioni ynë në këto vite të qeverisjes sonë të përbashkët është punë për qytetarin dhe mbrojtje për familjen. Qeveria jonë është shërbim për publikun, jo privilegj për pakicën. Investimet tona krijojnë shtet e qytetarë të sigurt, dhe shoqëri e familje të begatë.
Ky mandat është për të kthyer fuqishëm sigurinë dhe mirëqenien në përditshmërinë e qytetarit, investimet dhe prodhimtarinë në zakonin e ndërmarrësisë.
Rishpërndarje sociale në bindjen tonë të fuqishme sikurse edhe në programin dhe projektet tona, nuk është barrë për zhvillimin ekonomik, por është karburanti i saj. Duke e shpërndarë rritjen e ekonomike e kemi zvogëluar varfërinë e pabarazinë dhe e kemi rritur kërkesën agregate në ekonomi e cila më tej e ka sjellur shtimin qarkullimit të bizneseve dhe rritjen e mëtejme të ekonomisë.
Ne nuk subvencionojmë pasuri, por punën që e krijon atë. Jo rezultatet e veçanta private, po mënyrën universale publike. E kur shteti garanton investimin rreziku zvogëlohet dhe guximi rritet.
Këto pesë vitet e fundit, nga të cilat pothuajse një vit e gjysmë ishim si qeveri në detyrë pra pa kompetenca të plota, kemi ndërtuar dhe zhvilluar një Kosovë më të drejtë, më të fortë dhe më gjithëpërfshirëse. Kemi pasur rritjen ekonomike më të lartën në rajon, përkundër sfidave të shumta, sikurse pandemia, kriza energjetike dhe inflacioni, me një rritje mesatare prej 6% të Bruto Produktit Vendor, duke mos rënë nën 4%, e në çerekun e parë sivjet rritja ekonomike ishte 5.4% të Bruto Produktit Vendor. Kur e morëm përgjegjësinë për të udhëhequr vendin, Bruto Produkti Vendor ishte rreth 7 miliardë euro. Vjet, me punë të ndershme dhe politika të drejta, ka arritur në 11 miliardë euro, ndërkaq projektojmë që sivjet Bruto Produkti Vendor arrin në 12 miliardë euro.
Sa i përket punësimit, kemi shtuar punësimin nga 350 mijë në 430 mijë të punësuar, me fokus te rinia dhe gratë, si dhe kemi arritur që të ardhurat e familjes duke ngritur pagën minimale, pensionet, shtesat për fëmijë, por edhe pagat në sektorin publik, të cilat janë në këtë mandat që e përmbyllëm, kanë shënuar rritje mesatare prej 47% të shpërndajnë mirëqenie dhe ta ngrisin sigurinë sociale për popullsinë mbarë. Kjo rritje do të vazhdojë edhe në mandatin që vjen, në përputhje me rritjen e buxhetit dhe performancën ekonomike, duke e ngritur pagën mesatare në sektorin publik mbi 1,000 euro në muaj. Rritjen ekonomike, siç e dini, nuk e kemi mbajtur për shtet por e kemi shpërndarë në popullsi. Dhe, shtesat për fëmijë që sot janë 30 deri në 45 euro për çdo fëmijë, në mandatin e ardhshëm do t’i dyfishojmë. Pra, nga 0 sa i gjetëm në 45, dhe në mandatin e radhës nga 45 në 90 euro për fëmijë te familjet me tre e më shumë fëmijë. Me këtë rritje, do të lëmë prapa edhe disa shtete të Bashkimit Evropian sa i përket shtesave për fëmijë. Gjithashtu, edhe shtesat për nënat e reja, lehonat, nga 1 korriku i kemi rritur në 500 euro në muaj për 6 muaj.
Të nderuar deputetë,
Punuam për nënat e fëmijët, për veriun, ushtrinë dhe bujqësinë, e këto do të vazhdojnë edhe në mandatin e ri, për të cilin e kërkoj mbështetjen tuaj këtu sot, që ta nisim transformimin më të madh ekonomik e industrial në vendin tonë.
Prodhimi është themeli i zhvillimit tonë ekonomik. Banka Zhvillimore do t’i financojë drejtpërdrejt projektet strategjike, do t’i mbështesë ndërmarrjet e vogla e të mesme përmes bankave dhe do t’u japë prodhuesve e eksportuesve letërgaranci për pagesa. Programi prej 1 miliard eurosh për prodhim dhe industri do të garantojë kreditë për investimet në kapacitete të reja, përfshirë industrinë krijuese dhe skemat e subvencionimit të pagave. Investitorit që prodhon dhe punëson do t’i lehtësohet marrja e kredisë dhe do t’i ulet kostoja e saj. Me amortizimin e përshpejtuar, një pjesë më e madhe e investimit do të zbritet në vitet e para, kur biznesi ka më shumë shpenzime dhe më shumë nevojë për mjete qarkulluese.
Terminalet doganore ia kemi kthyer shtetit dhe kemi nisur përgatitjet për modernizimin e tyre. Pas zhbërjes së monopolit të arkave fiskale, vendosim faturimin elektronik ndërmjet bizneseve, me mbikëqyrje të detyrimeve në kohë reale dhe rimbursim më të shpejtë të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar. Pagesa e TVSH-së për mallrat që hyjnë në kufi do të kalojë në deklarimin brenda vendit, dhe në muajin pasues. Për veturat e importuara nga Bashkimi Evropian do të hiqet taksa doganore prej 10 për qind. Ndërkaq Ligji për çmimet tavan do t’i mbrojë qytetarët dhe tregtarët e ndershëm nga abuzimi me marzhet.
Do ta nisim zhvillimin e Valutës Digjitale të Kosovës, të mbështetur në teknologjinë e zinxhirit të blloqeve, për pagesa dhe shërbime digjitale. Në qendër të Prishtinës do të ndërtohet Kulla TIK, pra e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit, për kompanitë që rriten dhe punësojnë. Kompanive të teknologjisë do t’u ofrohen hapësira edhe në qytetet e tjera, ndërsa shpenzimet për trajnimin e punonjësve do t’u njihen si shpenzime të zbritshme. Fondi i Inovacionit do t’i mbështesë të rinjtë, ndërmarrjet e reja dhe bizneset e vogla në zhvillimin e prodhimeve, shërbimeve dhe mënyrave të reja të punës.
Në kuadër të Parqeve të Inovacionit dhe Teknologjisë do të vazhdojmë ndërtimin e qendrave të inovacionit, inkubatorëve teknologjikë, të biznesit dhe industrialë në komuna e universitete, 15 sosh në total deri në fund të mandatit të ardhshëm. Në Parkun e Inovacionit dhe Trajnimeve në Prizren do të zhvillohet edhe Qendra e parë e Kosovës për hulumtim dhe zhvillim në fushën e energjisë, në bashkëpunim me partnerët gjermanë, akademinë dhe profesionistët e mërgatës.
Brenda mandatit do ta nisim themelimin e një kompanie ajrore me kapital publik, në partneritet me kompani me përvojë nga vendi dhe bota. Krahas saj do të investojmë në shkollimin, trajnimin dhe certifikimin e specialistëve të aviacionit civil, që Kosova të krijojë kuadrot e veta dhe një sektor të qëndrueshëm të aviacionit.
Me programin Anembanë do të krijojmë rrjetin e bashkuar të transportit publik në tërë vendin. Do të nisim me trafikun urban në secilën komunë dhe do të vazhdojmë me trafikun ndërurban. Me një biletë mujore të përbashkët dhe të subvencionuar, me synim çmimin prej 10 eurosh, qytetari do të mund të udhëtojë nëpër Kosovë pa blerë biletë tjetër.
Mandatin do ta nisim me projektin e madh të Brezovicës. Investimet deri në 500 milionë euro do të përfshijnë rrugët, akomodimin, pistat dhe një rrjet bashkëkohor teleferikësh, përveçse renovim e ndërtim të hoteleve. Në Pejë, Rugovë dhe Bjeshkët e Nemuna do të zhvillojmë Qendrën turistike Dukagjini, duke i respektuar kërkesat e mbrojtjes së natyrës. Me grante do t’i shndërrojmë stanet në bujtina ekologjike në Bjeshkët e Nemuna dhe në Sharr. Investimet në infrastrukturë, bujqësi e mbrojtje të natyrës do të gjallërojnë edhe Gollakun dhe Shalën e Bajgorës.
MËRGATA
Përmes Dritares për Investime të Diasporës do të mbështeten deri në 100 milionë euro investime të mërgatës në Kosovë. Shteti do të jetë garantues i kredive të marra për këto investime. Me anëtarësimin në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro apo SEPA, siç njihet ndryshe me akronim, rreth 60 milionë euro do t’u kursehen mërgimtarëve nga shpenzimet e dërgesave të parave. Do të zgjerojmë mësimin e gjuhës shqipe në bashkëpunim me Shqipërinë, do t’i digjitalizojmë shërbimet konsullore dhe do të zbatojmë kthimin me automatizëm të shtetësisë për ata që e kanë humbur për shkak të kufizimeve të shtetit ku jetojnë ose rrethanave historike.
FAMILJA
Programi Gjenerata për gjeneratë do t’i mbështesë gjyshërit pensionistë që kujdesen për nipërit dhe mbesat e moshës 13 deri në 36 muaj, kur natyrisht të dy prindërit punojnë. Secila gjyshe ose secili gjysh do të marrë 100 euro shtesë në muaj. Nënat lehona pa punë sipas zotimit tonë filluan të mbështeten me 500 euro në muaj për gjashtë muaj, pra me gjithsej 3 mijë euro në vit, përveç shtesave për fëmijë. Shtesat për fëmijë, siç e theksova më herët, do të dyfishohen: nga 30 euro në 60 euro dhe nga 45 euro në 90 euro.
GRATË
Brenda gjashtë muajve të parë të mandatit do të nisë programi Superpuna për Gratë. Programi do ta mbulojë pagën minimale për gjashtë muaj për gratë e çdo moshe që hyjnë ose rikthehen në tregun e punës. Krahas mbështetjes për vajzat në studime, gratë në biznes, nënat, artistet dhe sportistet, kjo masë do t’u japë grave të ardhura, përvojë pune dhe mundësi më të mëdha për pavarësi ekonomike.
PUNËTORËT
Paga minimale prej 500 eurosh nuk do të tatohet. Me rritjen ekonomike do të vazhdojë rritja e pagave në sektorin publik, ku paga mesatare, sipas pritjes së tanishme, do ta kalojë shumën prej 1 mijë euro në muaj. Raporti ndërmjet pagës më të ulët dhe asaj më të lartë është përmirësuar nga 20 me 1 sa e patëm gjetur, në 4 me 1, pra për 50 për qind është rritur paga mesatare, ndërkaq pabarazia është zvogëluar pesë fish. Në këshillim me bizneset dhe punëtorët do të ndërmarrim nismën për pagën e trembëdhjetë në sektorin publik dhe privat, që do të vazhdojë edhe në vitet në vijim, me synimin që më pas të planifikohet edhe paga e katërmbëdhjetë. Paga e trembëdhjetë në sektorin publik, ju e dini që ka nisur tashmë sivjet pra në vitin 2026. Do të mund të shkojmë më lartë se kaq, por më poshtë se kaq nuk biem dot. Fondi i Sigurimeve Shoqërore do ta mbështesë punëtorin pas humbjes së vendit të punës dhe do ta mbulojë pushimin e lehonisë e pushimin prindëror. Numri i inspektorëve do të rritet deri në 200, ndërsa ligji i ri i punës dhe sistemi digjital i raportimit do ta forcojnë mbrojtjen në punë dhe kushtet e dinjitetshme të punës.
STUDENTËT
Studimin në universitetet publike e kemi bërë falas dhe kemi ngritur programe bursash të mbështetura në meritë e si përparësi shtetërore. Bursat e mobilitetit, që tashmë kanë filluar, do t’i ndihmojnë studentët që studiojnë larg vendbanimit të tyre, në përpjesëtim me largësinë. Sa më larg që studion aq më shumë mbështetesh. Mbështetja me bursa do të zgjerohet edhe për studentët e kolegjeve jopublike dhe buxheti i përgjithshëm për bursat do të dyfishohet. Ju e dini që në mandatin e kaluar i kemi ndarë rreth 20 milionë euro për 18 mijë studentë, nga të cilat 40 për qind kanë qenë për bursat STEM – Shkencë, Teknologji, Inxhinieri dhe Matematikë, dhe kjo do të dyfishohet në katër vjeçarin e ardhshëm.
Sa i përket shkollave, universitetit dhe dijes, do ta rrisim përfshirjen e fëmijëve në çerdhe publike dhe do të japim bono për prindërit që i dërgojnë në çerdhe jopublike. Synojmë përfshirjen e të gjithë fëmijëve pesë deri në gjashtë vjeç në ciklin parafillor. Licencimi i avancuar i mësimdhënësve do të shtrihet në të gjitha nivelet dhe do të shoqërohet me rritje page. Do t’i rishikojmë tekstet shkollore, do të shtrijmë mësimin plotësues dhe do të hapim pesë gjimnaze të specializuara. Profesionistët me doktoratë që punojnë në shkollat e komunave më të largëta do të marrin shtesë të posaçme. Synimi ynë është që ata të cilët kanë doktoruar të mos kenë, aktualisht ose potencialisht, vetëm jetë akademike por edhe përvojë pedagogjike. Shkolla gjithëditore do të përfshijë artin, sportin dhe mësimin digjital, ndërsa fëmijët me nevoja të veçanta do të kenë logopedë, psikologë dhe veprimtari të përshtatura. Arsimit dual do t’i shtohen dhjetë profile të reja, kurse këshillimi për karrierë do të vendoset në shkolla. Interneti i shpejtë dhe falas do të shtrihet në 1 mijë institucione parauniversitare. Universitetet publike do të profilizohen dhe do të financohen sipas cilësisë e punës shkencore. Pra, nuk do të mbyllim universitete, por do t’i profilizojmë ato. Sepse një universitet nuk mund të jetë i mirë me të gjitha fakultetet dhe sidomos jo njësoj i mirë në të gjitha fakultetet që i ka. Në Qendrën e Studentëve do të ndërtohen një konvikt dhe tri salla të reja të bibliotekës.
Mbrojtja e shëndetit do të jetë në fokus. Çdo qytetar do ta ketë mjekun familjar dhe do të përfshihet në regjistrin e kujdesit parësor. Kontrolli i përgjithshëm vjetor dhe programet e rregullta për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit, të qafës së mitrës dhe të zorrës së trashë do të forcojnë parandalimin. Mbështetja për nënën dhe fëmijën do të nisë në shtatzëni dhe do të vazhdojë deri në moshën gjashtëvjeçare. Programi Lëvizim për Shëndet do ta shtojë veprimtarinë fizike dhe kujdesin për shëndetin mendor në komuna e shkolla. Do ta fuqizojmë edhe kontrollin laboratorik e inspektues të ushqimit. Pas hyrjes në fuqi të ligjit dhe plotësimit të sistemit informativ do të funksionalizohen sigurimet shëndetësore. Lista e rimbursueshme do t’i mbulojë barnat jashtëspitalore, ndërsa buxheti për listën esenciale do të rritet deri në 100 milionë euro. Do t’i shtrijmë shërbimet specialistike në rajone, do të ndërtojmë spitalet e reja në Mitrovicë e në Ferizaj dhe do t’i pajisim spitalet publike me tomografi të kompjuterizuar. Poliklinikat specialistike e stomatologjike dhe laboratorët publikë do t’i afrojnë shërbimet te qytetari. Do të mbështesim edhe prodhimin vendor të produkteve medicinale.
Të nderuar deputetë,
Viti i kaluar 2025, është viti i parë kur numri i profesionistëve shëndetësorë të kthyer, mbi 100, është më i lartë se sa i atyre të larguar, disa dhjetëra. Gjatë tri viteve të fundit, i kemi shtuar 370 infermierë, 300 mjekë në kujdesin parësor dhe 250 specialistë në atë sekondar e terciar. Prandaj edhe jemi optimistë, që do të kemi sukses me këtë fokus të qeverisjes sonë në mbrojtjen e shëndetit.
PRODHIMI DHE EKONOMIA BUJQËSORE
Mbi 150 mijë fermerë kanë përfituar më shumë se 350 milionë euro në grante e subvencione gjatë qeverisjes sonë. Në mandatin e ri do të rregullojmë më tej tregun, do ta rrisim prodhimtarinë dhe do ta krijojmë skemën kombëtare të sigurimit të prodhimit nga fatkeqësitë natyrore. Do të mbështeten fermat, pemishtet, serrat, blegtoria, mekanizmi dhe sistemet e ujitjes. Prodhimet do të certifikohen e standardizohen për tregun vendor dhe atë evropian. Do t’i fuqizojmë organizatat e prodhuesve, kooperativat, përpunimin dhe zinxhirin e ftohtë. Aplikimi për grante do të jetë i hapur gjatë gjithë vitit. Do të ketë mbështetje të posaçme për vajzat e djemtë, aplikim për subvencione nëpërmjet internetit, Kartën e-Fermeri dhe regjistrim të thjeshtuar të punëtorëve sezonalë, do ta fillojmë në mandatin e ri. Do të krijohen tri zona të hortikulturës intensive dhe do të zgjerohet prodhimi ekologjik.
Sa i përket ujërave, do të përfundojmë projektimin dhe ndërtimin e ujësjellësit në të gjitha lokalitetet e banuara. Për furnizim me ujë të pijes, ujitje dhe industri do të ndërtohen pesë rezervuarë të rinj apo liqene artificiale: në Firajë të Poshtme të Shtërpcës, në Pollatë të Podujevës, në Kuçicë të Skenderajt, në Dragaçinë të Suharekës dhe në Desivojcë të Kamenicës. Kanalizimet e fshatrave do të trajtohen me impiante të vogla. Do t’i rregullojmë argjinaturat, do ta rigjallërojmë Ligatinën e Hencit dhe rrjedhat e Lepencit e Drinit e do ta mbështesim grumbullimin e ujit të shiut për ujitje e nevoja sanitare.
ENERGJIA DHE MINIERAT
Do t’i modernizojmë termocentralet Kosova A dhe Kosova B për të rritur prodhimin e për të ulur ndotjen. Filtrat në Kosovën B do ta ulin pluhurin për 97 për qind dhe oksidet e azotit për 75 për qind, ndërsa rehabilitimi i Kosovës A do ta rrisë kapacitetin prodhues për 60 për qind. Me projektet e nisura do të sigurohen së paku 305 megavatë nga era dhe 250 megavatë nga dielli, që 20 për qind e energjisë së konsumuar të vijë nga burime të pastra. Sistemi i baterive me kapacitet 340 MWh orë energji, që e kemi si rezultat i Programit Kompakt, të Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do ta rrisë qëndrueshmërinë e rrjetit. Sistemi i baterive, pra, do të jetë ai i cili na mundëson të jemi të sigurt për tranzicionin e drejtë energjetik, drejt burimeve të ripërtëritshme, qofshin nga era apo nga dielli. Do ta planifikojmë gazifikimin e qymyrit, e linjitit, do ta thellojmë bashkëpunimin me Shqipërinë dhe do ta vazhdojmë bashkimin e tregut përmes ALPEX-it – Albanian Power Exchange. Synojmë që më shumë se 93 për qind e energjisë për familjet dhe ndërmarrjet e vogla të vijë nga burimet vendore dhe që eksporti të kalojë 30 për qind. Ngrohja qendrore do të zgjerohet në Prishtinë dhe do të nisë në Gjilan, Ferizaj, Prizren, Pejë, Mitrovicë, Fushë Kosovë, Podujevë e Lipjan. Do të investojmë 150 milionë euro në kursimin e energjisë për 400 ndërtesa publike e së paku 8 mijë familje. Për skanimin e pasurive minerare do të ndahen rreth 50 milionë euro, ndërsa Trepça do të jetë në qendër të partneriteteve energjetike.
Sa i përket mjedisit, do ta vendosim njoftimin në kohë reale për cilësinë e ajrit dhe do të krijojmë Brezin e Gjelbër: Prishtinë, Obiliq dhe Fushë Kosovë. Do t’i gjelbërojmë autostradat e rrugët kombëtare, do t’i mbyllim deponitë e paligjshme dhe do ta mbyllim përfundimisht deponinë e Mirashit. Sistemi i paralajmërimit do t’i mbrojë qytetarët nga përmbytjet dhe valët e të nxehtit. Aksioni shtetëror për mbrojtjen e natyrës do ta ndalë degradimin e lumenjve, pyjeve dhe zonave të mbrojtura, e Blinaja do të shndërrohet në park të hapur, edukativ e rekreativ të jetës së egër.
Infrastruktura e së ardhmes, është gjithashtu në fokus të qeverisjes sonë. Me ç’rast do ta fillojmë ndërtimin e hekurudhës Gjakovë-Shkodër, në kuadër të hekurudhës Prishtinë-Durrës, që do të lidhë Portin e Thatë të Prishtinës, me Portin e ri të Durrësit, si dhe do t’i projektojmë linjat që e lidhin Prizrenin e Ferizajn me Gjilanin e Bujanocin, si dhe Prishtinën me Aeroportin. Do të përfundojmë autostradën e Gjilanit deri te Dheu i Bardhë dhe lidhjen me Korridorin 1, pastaj rrugën Prizren-Tetovë me tunelin përfundi maleve të Sharrit në mes, mandej Rrugën e Dukagjinit, rrugët Dollc-Gjakovë dhe Kijevë-Zahaq. Do t’i shtojmë lidhjet ndërkufitare, do të përmirësojmë qasjen në qendrat turistike e historike, e gjithashtu do ta nisim edhe ndriçimin e mençur të autostradave.
Ritmin e investimeve kapitale do ta rrisim përmes reformimit të prokurimit publik. Proceset do të jenë më të shpejta, më transparente dhe më konkurruese, që ekzekutimi vjetor i investimeve kapitale të kalojë 1 miliard euro. E viti rekord ishte viti i kaluar me afër 730 milionë euro investime kapitale. Lidhja e sistemit të financave publike me prokurimin elektronik do ta forcojë disiplinën buxhetore dhe do t’i ndalë detyrimet financiare pa mbulesë.
Sa i përket buxhetit të Komunave, të dhënat e regjistrimit të popullsisë do të bëhen baza e re e buxhetimit të komunave. Grantet do të ndahen sipas numrit dhe nevojave të banorëve, ndërsa granti i katërt do të përfshihet në skemën e re. Kësisoj, do të rriten mundësitë e komunave për arsim, shëndetësi, ujësjellës, kanalizime dhe infrastrukturë, bashkë me transparencën dhe përgjegjësinë në qeverisjen vendore.
SPORTET
Lojërat Mesdhetare 2030 do ta shndërrojnë infrastrukturën sportive të Kosovës. Pallati i Rinisë dhe Sporteve, Qendra e Studentëve, Qendra Akuatike, pishinat, palestrat dhe terrenet për sportet olimpike do të përtërihen sipas standardeve ndërkombëtare. Për Stadiumin Kombëtar, përtëritjen e stadiumeve ekzistuese dhe ndërtimin e 20 stadiumeve të futbollit janë planifikuar 250 milionë euro. Klubet e vajzave dhe klubet e drejtuara prej tyre do të kenë mbështetje të posaçme. Do ta standardizojmë licencimin e trajnerëve, do ta lidhim financimin me rezultatet dhe përgjegjësinë, e do të zbatojmë programin Sporti në Shkolla.
ARTI
Për industritë krijuese janë planifikuar 200 milionë euro investime në film, libër, art skenik e pamor, arkitekturë, dizajn, modë, artizanat, videolojëra dhe shërbime të Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit. Programi Kosova Krijon do t’i bashkërendojë politikat e këtij sektori dhe do ta ndihmojë daljen në tregjet ndërkombëtare. Do ta forcojmë mbrojtjen e pronësisë intelektuale, aftësimin e vazhdueshëm të krijuesve, rrjetin e kinemave publike dhe mbështetjen për artistët e pavarur. Teatri i Operës dhe Baletit dhe Muzeu i Artit Bashkëkohor do të jenë qendra të krijimtarisë. Monumentet do të vihen në shërbim të komunitetit. Do të vazhdojnë kërkimet arkeologjike, mbështetja e zejeve tradicionale, zgjerimi i rrjetit të muzeve dhe puna në Kullat e Rezistencës në Prekaz. Do të themelohet Muzeu i Gjenocidit dhe do të përfundojë Memoriali i Fëmijëve të vrarë gjatë luftës.
Sa i përket vlerave të luftës çlirimtare, krahas themelimit të Ministrisë përkatëse, do të vazhdojmë përkujdesjen për kategoritë e dala nga lufta dhe ruajtjen e trashëgimisë së luftës çlirimtare. Pra, përsëri do të kemi Ministri për Familje, Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare. Viktimat civile dhe familjet e tyre do të trajtohen me dinjitet. Zbardhja e fatit të të zhdukurve me dhunë nga regjimi i Millosheviqit do të mbetet detyrë e pandalshme shtetërore, bashkë me kërkesën ndaj Serbisë për hapjen e arkivave, e pikësëpari të Brigadës së Motorizuar 37 të Ushtrisë Jugosllave, arkiva e së cilës është klasifikuar për 30 vjet, duke filluar nga viti 2014. Ajo arkivë duhet të hapet një ditë më parë, e jo të presim deri në vitin 2044.
Për familjet e dëshmorëve ju e dini që i kemi rritur pensionet gjatë qeverisjes sonë. Familjet me një dëshmor marrin tash 537 euro, nga 448 euro sa ishte më herët, familjet e dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të të Zhdukurve të UÇK-së, që kanë më shumë se një dëshmor apo të zhdukur, u ndryshua edhe formula e pensionit, duke e rritur për 50 për qind të pensionit bazë për çdo dëshmorë apo të zhdukur tjetër që ka familja. Familjet me dy dëshmorë marrin tash 806 euro, familjet me 3 dëshmorë 1075 euro, familjet me 4 dëshmorë 1344 euro, ndërkaq familjet me më shumë se 4 dëshmorë 1613 euro.
DREJTËSIA
Do të vazhdojmë punën për jetësimin e vetingut në përputhje me Kushtetutën. Byroja për Sekuestrimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme do ta godasë pasurimin e paligjshëm. Gjykata për Çështje Familjare do t’i trajtojë me përparësi pronën, trashëgiminë, dhunën në familje, shkurorëzimin dhe detyrimin ushqimor. Padia dhe gjykimi do të digjitalizohen në të gjitha shkallët gjithandej Republikës. Do të themelohet Prokuroria e specializuar për krimin e organizuar dhe korrupsionin e do të organizohet Zyra për Hetime Disiplinore.
Do të mbështesim hetimin e krimeve të luftës dhe sjelljen para drejtësisë të kriminelëve që zbatuan gjenocidin e Serbisë të udhëhequr nga Millosheviqi në Kosovë, në vitet 1998 – 1999.
Do të vazhdojmë punën për rend dhe ligj në të gjithë vendin. Policia do të pajiset me pajisje bashkëkohore, ndërsa shkollimi dhe specializimi i zyrtarëve do të zgjerohen. Stacionet policore do të përtërihen. Do të themelohet fondi për pensionimin e parakohshëm të shkallëzuar, duke nisur nga mosha 63 vjeçare dhe duke zbritur vit pas viti deri në moshën 55 vjeç. Natyrisht, nuk do ta detyrojmë pensionimin, nuk e inkurajojmë pensionimin, por vetëm nëse ka dëshirë e vullnet për një gjë të tillë. Mandej, do të përmirësohet edhe sistemi i gradimit sipas meritës, me mundësi të posaçme për avancimin e grave. Njësia e Dronëve dhe Antidronëve do të fuqizohet, ndërsa Qendra Kombëtare për Menaxhimin e Kufirit do të pajiset me teknologjitë më të avancuara. Do ta themelojmë Xhandarmërinë e Republikës së Kosovës për mbrojtjen e kufirit, luftimin e terrorizmit, përballimin e rreziqeve të larta dhe mbrojtjen e infrastrukturës jetike kritike.
MBROJTJA
Për ushtrinë tonë do të ndajmë mbi 1 miliard euro gjatë katër viteve në vijim. Industria ushtarake Made in Kosova do të përqendrohet në municion, dronë, robotë dhe teknologji të tjera mbrojtëse. Prodhimi i municionit është paraparë të nisë brenda vitit 2026, ndërsa zhvillimi i robotëve të parë është përfunduar. Me Republikën e Shqipërinë do ta krijojmë Njësinë Ushtarake të Përbashkët dhe do të bashkëpunojmë në edukim e bashkëprodhim. Do ta shtojmë rekrutimin, me synim që brenda mandatit ushtria të ketë 1 mijë gra e vajza ushtarake, nga rreth 400 sa janë aktualisht. Programi i Mbrojtjes Gjithëpërfshirëse do t’i trajnojë rezervistët vullnetarë. E profesionistëve me prejardhje nga Kosova që shërbejnë në ushtritë aleate, si dhe profesionistëve nga Shqipëria, do t’u mundësohet kalimi në Forcën e Sigurisë së Kosovës. Bashkëpunimi me shtetet e NATO-s në, veçanti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do t’i përshpejtojë përgatitjet tona për anëtarësim.
POLITIKA E JASHTME
Do të punojmë për njohjen e pasaportës së Kosovës në më shumë vende dhe për marrëveshje të reja të lëvizjes pa viza. Pas aplikimit të dorëzuar më 15 dhjetor 2022, marrja e statusit të vendit kandidat në Bashkimin Evropian mbetet synim i yni kryesor dhe orientim parësor strategjik. Deri në vitin 2030 synojmë t’i përmbyllim kapitujt e integrimit dhe të përparojmë në bisedimet për anëtarësim. Agjenda e Reformave 2025-2028 do të udhëheqë përfitimin e fondeve dhe përafrimin me tregun e brendshëm të Bashkimit Evropian. Do ta dyfishojmë rrjetin e atasheve të mbrojtjes dhe do të shtojmë numrin e marrëveshjeve që njihet me akronimin SOFA, dhe do t’i thellojmë marrëdhëniet edhe me shtetet mosnjohëse, veçanërisht me anëtaret e NATO-s dhe të Bashkimit Evropian. Do të synojmë drejtimin e së paku një nisme rajonale, meqenëse siç e dimë Republika e Kosovës është e vetmja që nuk drejton asnjë nismë rajonale, e do t’i fuqizojmë aftësitë kundër dezinformimit e do ta hapim shërbimin diplomatik për kuadrot e reja e profesionistët e mërgatës sonë të dashur. Rrjeti i atasheve ekonomikë, tregtarë e kulturorë do të kërkojë investime, tregje dhe mundësi të reja. Kosova do të marrë pjesë në Tregun e Përbashkët Rajonal, do t’i zbatojë detyrimet e Procesit të Berlinit dhe do të mbetet e harmonizuar me politikën e jashtme e të sigurisë së Bashkimit Evropian.
Të nderuar deputetë dhe të gjithë ju të tjerë të pranishëm,
Të dashur qytetarë,
Çdo gjë që e kemi prezantuar në ekspozetë e mëhershme, përfshirë në veçanti atë të shkurtit sivjet, natyrisht që vlen për mandatin në vijim sepse realisht bëhet fjalë për të njëjtin mandat i cili ndërpritet me mënyra procedurale. Dhe, që të gjitha ato janë valide e do t’i zbatojmë një nga një.
Në vijim po paraqes para jush edhe kabinetin e ardhshëm Qeveritar, me të gjitha dikasteret, me ekzekutivin që del nga kjo Legjislaturë e 11 e nderuar.
Zëvendëskryeministër i parë dhe ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca;
Zëvendëskryeministre e dytë dhe ministre e Ministrisë së Drejtësisë, Donika Gërvalla;
Zëvendëskryeministër i tretë për Çështje të Pakicave dhe Bashkëpunim, Fikrim Damka;
Ministër i Financave, Hekura Murati;
Ministër për Punë, Familje dhe Vlera të Luftës Clirimtare, Andin Hoti;
Ministër i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci;
Ministër i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla;
Ministër i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulëzon Jagxhiu;
Ministër i Shëndetësisë, Arben Vitia;
Ministër i Arsimit dhe Shkencës, Hajrullah Çeku;
Ministre e Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci;
Ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi;
Ministër i Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani;
Ministre e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli;
Ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja;
Ministër i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha;
Ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë, Inovacionit, Mimoza Kusari;
Ministre e Ekonomisë, Artane Rizvanolli;
Ministër për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq;
Ministër për Zhvillim Rajonal, Rasim Demiri.
Të nderuar deputetë,
Ky është pra kabineti i ardhshëm qeveritar, meqenëse këto janë zotimet tona për mandatin e ri. Ato mbështeten në punën e kryer dhe në besimin që qytetarët na e dhanë më 7 qershor. Qeveria që ua propozuam ka program të qartë, masa të përcaktuara dhe përgjegjësi të matshme.
Qytetarët na kanë dhënë mandat për të qeverisur. Kuvendit i takon ta mundësojë zbatimin e tij. Kuvendit i takon gjithashtu ta gjejë, përmes diskutimit dhe marrëveshjes, edhe zgjidhjen për zgjedhjen e Presidentit. Ne do të marrim mbi vete të gjithë përgjegjësinë që na takon dhe presim të njëjtën gjë nga secili subjekt parlamentar.
E në tetor do ta sjellim Buxhetin 2027. Mandatin të cilin po e kërkojmë prej jush është mandat drejtësie e pune, mandat dinjiteti për secilën e secilin, e për të gjithë bashkë pa dallim, është mandat sigurie e mirëqenie për të gjithë.
Ju faleminderit shumë për mbështetjen e deritanishme, për vëmendjen dhe paraprakisht për përkrahjen tuaj.
Ju faleminderit.


