Lajme

Ekstradimi i Ruben Saraiva, reagon Balla: Do t’i japim fund pandëshkueshmërisë

Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka reaguar pas mbërritjes në Shqipëri të portugezit Ruben Saraiva, i dyshuar si autor i vrasjes së Ardian Nikulajt në Lezhë.

Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Balla nënvizion faktin se  vazhdojnë përpjekjet për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë ndaj personave që fshihen në vende të tjera.

Reagimi i plotë:

Falë mbështetjes së fortë të Interpol me të cilët po punojmë çdo ditë për gjetjen e personave në kërkim si dhe bashkëpunimit me agjencitë  ligjzbatuese të Marokut, sapo u përmbyll në Aeroportin “Nënë Tereza”ekstradimi i shtetasit Ruben Ribeiro Saraiva, person i kërkuar nga drejtësia shqiptare si i dyshuar për një krim të rëndë.

Realizimi i këtij ekstradimi, edhe pse me Mbretërinë e Marokut nuk e kemi një marrëveshje ekstradimi, na ka krijuar tashmë eksperiencën por edhe besimin të vijojmë përpjekjet tona për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë ndaj personave që fshihen në vende të tjera.

Përgëzime Departamentit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Interpol Tirana dhe djemve të palodhur të RENEA për realizimin e 78 ektradimeve drejt Shqipërisë gjatë këtij viti që përmbyllim sot. Pres më shumë në Vitin e Ri 2024!

Ruben Saraiva u arrestua në muajin Maj në Marok, pak kohë pas vrasjes në Lezhë. Ai kërkohet nga drejtësia shqiptare, pasi dyshohet se në bashkëpunim me tre shtetas britanikë të paguar nga Edmond Haxhia, kanë organizuar vrasjen e biznesmenit dhe politikanit lokal Ardian Nikulaj.

Edmond Haxhia, porositësi dhe organizatori i atentatit mafioz, si edhe tre bashkëpunëtorët anglezë që kanë luajtur rolin e vëzhguesit, Thomas Mithan, Steven Hunt, 35 dhe 49 vjeç ndodhen në paraburgim në Britaninë e Madhe, ndërsa Harriet Bridgeman, 28 vjeçe u la në arrest shtëpie pasi kërkoi masë më të lehte sepse ka një vajzë të mitur.

A ju ndihmoi ky artikull?PoJo