Lajme

Elbasani goditet nga stuhi e pazakontë: 60 mm shi në vetëm 30 minuta, dhjetëra banesa, bodrume dhe makina nën ujë

Elbasani u përball të shtunën me një stuhi të fortë, e cila brenda një kohe shumë të shkurtër shkaktoi përmbytje, dëme materiale dhe vështirësi në qarkullim në disa zona të qytetit dhe të bashkisë.

Sipas të dhënave të bëra publike nga Bashkia Elbasan, brenda vetëm 30 minutave ranë rreth 60 milimetra shi, një intensitet i lartë dhe i pazakontë që solli grumbullime të menjëhershme uji në rrugë, banesa, bodrume dhe mjedise të tjera.

Nga verifikimet paraprake rezulton se uji ka prekur rreth 30 banesa dhe 20 bodrume. Në zonat e përmbytura është ndërhyrë me pompa për largimin e ujit.

Probleme të konsiderueshme janë regjistruar edhe në parkimet nëntokësore, ku dhjetëra automjete janë prekur nga vërshimi i ujit.

Era e fortë që shoqëroi reshjet rrëzoi gjithashtu 10 pemë. Ekipet e shërbimeve publike ndërhynë për largimin e tyre dhe hapjen e rrugëve.

Gjatë kulmit të stuhisë, në disa akse të qytetit uji vërshoi me forcë, duke vështirësuar përkohësisht lëvizjen e automjeteve.

Problematikat nuk u kufizuan vetëm brenda qytetit. Reshjet dhe prurjet e krijuara prej tyre dëmtuan edhe disa rrugë në fshatra dhe njësi administrative, ndërsa në zona të caktuara u raportuan edhe përmbytje të tokave bujqësore.

Moti i keq preku pjesë të ndryshme të qarkut të Elbasanit, duke sjellë vështirësi të përkohshme edhe në disa segmente rrugore kombëtare dhe rurale.

Pavarësisht fuqisë së stuhisë, deri tani nuk raportohet për persona të lënduar.

Edhe këtë të diel ekipet vijojnë punën për pastrimin e zonave të prekura, largimin e materialeve të sjella nga uji dhe kthimin gradual të situatës në normalitet.

Të Ngjashme