Lajme

Elton Qyno prej 10 orësh në SPAK, si sensibilizohen kolegët: Të lirohet menjëherë

Gazetarë, avokatë dhe aktivistë janë bërë bashkë në një thirrje të vetme “Lironi Elton Qynon”, i cili prej 10 orësh ndodhet në ambientet e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizaur.

Sipas tyre mbajtja “peng” e gazetarit është e paligjshme dhe kërkesa që i është bërë atij për të nxjerrë burimin e informacionit bie ndesh me parimet bazë të gazetarisë për të publikuar çdo lloj informacioni dhe për të mos zbuluar burimin e informacioneve.

Në vazhdën e dhjetra reagimeve është dhe postimi i gazetares Anila Hoxha e cila shkruan: Kontrollohet shtëpia e gazetarit Elton Qyno për nxjerrje të sekretit hetimor!! Jam me Elton Qunon dhe me çdo gazetar që i shërben publikut dhe të vërtetës.

Lidhur me marrjen në pyetje të gazetarit Qyno ka reaguar edhe kolegu i tij, Elvi Fundo. Përmes një postimi në rrjetet sociale ai shprehet se gazetari nuk ka pse tregon asnjë burim. “Elton Qyno nuk ka pse tregon asnjë burim. Kushdo qoftë ai. Me gazetarët, pro SPAK, me të vërtetën”, shkruan Fundo.

Gazetari i Ora News, Elton Qyno i cili mbulon sektorin e Prokurorisë që prej orës 11:00 të paradites së sotme ndodhet në ambientet e SPAK. Sipas asaj që raportohet në media Qynos po i kërkohet që të nxjerrë burimin e informacionit. Mësohet se marrja në pyetje e Elton Qynos u bë me kërkesë të prokurorit Behar Dibra me pretendimin për nxjerrje të akteve hetimore. Më herët u tha se  SPAK ka kryer kontrolle dhe në shtëpinë e gazetarit, teksa në vijim priten që prokurorët të mbërrijnë edhe në ambientet e televizionit Ora News, ku dhe ai punon, për kontrolle lidhur me këtë çështje.

A ju ndihmoi ky artikull?PoJo