Tashmë një idhull i fëmijëve në kanalin Cartoonito me serinë Miracle Tunes, ku luante rolin e një luftëtareje që lufton të keqen duke kënduar dhe vallëzuar, 19-vjeçarja Emily Shaqiri, bijë e balerinit dhe koreografit shqiptar Ilir Shaqiri dhe aktores Emanuela Morini, tashmë është rritur mjaftueshëm për të luajtur rolin e një adoleshenteje në sezonin e dytë të Di4ri, një serial për të rinj, dalë në Netflix qysh prej 6 dhjetorit. “Luaj rolin e Katias, një vajzë shumë e veçantë, e brishtë dhe në të njëjtën kohë shumë kokëfortë, pothuaj e dhunshme”, rrëfen Emily. “Sapo mbërrin në klasën e re, bie menjëherë në sy dhe bëhet gjithnjë e më problematike. Por pas këtij qëndrimi të saj prej bullizueseje, Katia fsheh vuajtjen që i ka shkaktuar divorci i prindërve, nga e ëma që e injoron sepse është e përqëndruar tek një familje e re. Si pasojë, gjithçka që ajo bën është e diktuar nga nevoja për të tërhequr vëmendjen”.
Eshtë prova jote e parë e vërtetë si aktore?
“Po, dhe më ka pëlqyer shumë. Nuk ishte e lehtë. Ka patur disa skena që më kanë vënë në provë dhe që i kam kapërcyer falë ndihmës së regjisorëve dhe aktorëve. Para se të takoheshim në sheshxhirim kemi bërë shumë takime, për të parë se si do ta ndërfusnim personazhin tim brenda një ekipi të mirëkolauduar. Kështu vendosëm që të mos e sillnim Katian në serial me tone të ekzagjeruara apo negative. Ka qenë një përvojë tejet formuese për mua”.
Edhe para se të xhiroje D4ri keni përjetuar një adoleshencë në skenë.
“Kam filluar të punoj kur isha shumë e vogël, ndonjëherë shoqëroja nënën time në teatër. Miracle Tunes më dha një lloj popullariteti mes të rinjve, por prindërit e mi kanë qenë shumë të zotët për të më rrëfyer udhën, e si pasojë e kam jetuar gjithë këtë si një adoleshente normale. E kam ndarë jetën time mes shkollës, kërcimit, këndës dhe angazhimeve të ndryshme. Jam diplomuar vitin e kaluar në lice, kam një grup miqsh shumë të bashkuar që nuk kanë fare lidhje me botën e spektaklit, që nuk më rëndojnë dhe as më bëjnë të vërej dallime në përditshmërinë tonë”.
Në rrjetet sociale shfaqeni shpesh si balerinë.
Kërcimi është mënyra që unë kam për t’u shprehur. E orientuar prej babait tim kam studiuar balet klasik, modern dhe kontemporan dhe kam eksperimentuar me hip hopin. Kërcimi është në ADN-në e familjes time. Gjyshërit e mi nga babai kanë qenë të dy yje në Teatrin shqiptar të Operës dhe Baletit, ashtu sikurse dhe babai dhe xhaxhai im. Ata donin shumë që unë të vazhdoja, edhe pse tani e kanë pranuar zgjedhjen time për të qenë aktore. E di që është një rrugëtimi. Vështirë, aq sa e kam bërë gati një Plan B: sapo jam regjistruar në Universitet për të studiuar Psikologji. Më pëlqen dhe më ndihmon për të hyrë brenda personazheve”.
Duket se i ke idetë shumë të qarta.
“Jam pjesë e një brezi që është vetëdijësuar dhe është i vëmendshëm vetëm falë rrjeteve sociale. Kemi mësuar t’i përdorim, të informohemi, të krijojmë rrjete dhe të shprehim mendimet tona. Askush nuk do të na dëgjonte deri disa vite më parë, ndërsa sot kemi ndjekësa dhe bota e kinemasë, artit dhe letërsisë më në fund na kushton vëmendje”. / “D” (La Repubblica)
(bota.al)
BotaM