Forca e Sigurisë së Kosovës është bërë me 12 oficerë të rinj, të cilët përfunduan me sukses përgatitjen katër-vjeçare akademike.
Oficerët e rinj u tha se i presin sfida të reja të sigurisë ndërkombëtare.
Betimin po e bëjnë, se atdheut do t’i shërbejnë me dinjitet.
E kjo erdhi pas përfundimit të suksesshëm të studimeve katërvjeçare në Qendrën për Studime Universitare.
E gjithë ceremonia e diplomimit, nisi me intonimin e himnit.
Më pas radha i erdhi gardës ceremoniale.
Studenti më i dalluar i gjeneratës së oficerëve të rinj, u shpall Dardan Syla.
“Katër vite më parë, erdhëm në këtë vend të gjithë, por edhe me shumë paqartësi. Nuk e dinim se çfarë na pret. E dinim vetëm një gjë: se kishim zgjedhur t’i shërbejmë vendit tonë. Këto katër vite na mësuan se uniforma nuk është thjesht një veshje, ajo është përgjegjësi. Është disiplinë që askush se sheh, është karakter kur je nën presion”, deklaroi Dardan Syla.
Të forta emocionet i ka edhe oficeri tjetër i ri, Jahir Fazliu.
“Është një ndjenjë e pa përshkueshme, emocionet janë shumë të mëdha, rrugëtimi nuk ka qenë i lehtë por tu e pasë parasysh të kaluaren e Kosovës edhe mbështetjen e familjes ka qenë e mundur. Inspirimi kryesor ka qenë gjaku i dëshmorëve dhe gjithë të rënëve për liri edhe familjes”, theksoi Fazliu.
Të pranishëm në ceremoni, ishin edhe krerët shtetëror.
Ushtruesja e Detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, pati një mesazh për të sapodiplomuarit.
“Ju po diplomoheni në një kohë kur siguria ndërkombëtare po përballet me sfida të reja. Konfliktet, kërcënimet hibride, sulmet kibernetike, dezinformimi dhe përpjekjet për ta dobësuar një shtet nga brenda na kujtojnë se paqja ruhet me përgatitje, me vigjilencë dhe aleanca të forta. Për këtë arsye, përgjegjësia juaj është shumë më e madhe, duke filluar nga mbrojtja e integritetit territorial, sovranitetit të vendit tonë, Kushtetutës së Republikës së Kosovës, rendit demokratik, lirisë dhe sigurisë së çdo qytetari në Republikën e Kosovës”, deklaroi Albulena Haxhiu.
Nga sot, të 12 oficerët, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se janë udhëheqësit e ardhshëm të ushtrisë së Kosovës.
“Nga sot, nuk jeni vetëm oficerë të rinj, por edhe udhëheqës të së ardhmes të ushtrisë sonë. Gjatë këtyre katër viteve, keni fituar dije, disiplinë dhe keni ndërtuar karakter ushtarak. Gjatë kësaj periudhe, jeni mishëruar me vlerat ushtarake, vlera këto të cilat do t’ju shoqërojnë në çdo detyrë që do ta realizoni në shërbim të Republikës”, potencoi Kurti.
Nga sot, që të 12 oficerët do t’u bashkohen radhëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, duke nisur shërbimin e tyre në mbrojtje të vendit.
