Lajme

Emocione të forta në familjen e Jakup Krasniqit pas dënimit me 25 vite burgim nga Haga

Për dy orë radhazi sy e vesh ishin kah Haga.

Seancën ndaj Jakup Krasniqit, nga shtëpia në Negroc të Drenasit e përcolli me emocione vëllai i tij Avdyli.

Krejt kjo, teksa Trupi Gjykues i Dhomave të Specializuara të Kosovës shpalli aktgjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi, u shpall fajtor për katër pika të krimeve të luftës dhe u dënua me një dënim prej 25 vjetësh burgim.

Sipas aktgjykimit, Krasniqi u shpall fajtor për trajtim mizor ndaj së paku 49 personave, torturë ndaj së paku 303 personave dhe vrasje të paligjshme të së paku 96 personave.

Trupi gjykues ju dënon me një dënim të njehsuar me 25 vjet burgim në të cilin llogaritet koha e kaluar në paraburgim.

Për familjarët e tij, ky vendim ishte i rëndë.

“Në drejtësinë evropiane kam qen skeptik edhe më herët, po tash nuk mundem me vlerësua asnjëfije për arsye se dënohen njerëzit veç me fjalë e dëshmitarë të rrejshëm është e pakuptim, por nuk është në dorën tonë. Më e keqja është që po thotë në emër të popullit të Kosovës janë marrë këto vendime për keqardhje, por nuk mundemi me i ndryshua”, tha Avdyl Krasniqi, vëllai i Jakup Krasniqit.

E vëllai Avdyli, lotët nuk po mund t’i mbante më.

Por as  bashkëluftëtari i Jakup Krasniqit, Ismet Krasniqi.

Ai e cilësoi dënimin nga Haga si të papranueshëm.

“Nuk e kemi prit këtë vendim, ky është i papranueshëm dënim arbitra. Këtë dënim populli shqiptar nuk e pranon, jemi të mërzitur e të mllefosur nuk e di se çka do të bëjmë nesër e tutje. Emocione se krerët e UÇK-së ne na kanë udhëheqë se kam qenë pjesë e UÇK-së, baca Jakup e Kadria kanë qenë gjatë luftës këtu, Hashimi ndërkohë e Rexhepi, i njohim të gjithë. Aata kanë sakrifikua nëpër male kanë qëndrua, dath, e desh pa hëngër, familjet nëpër male e sot me u dënua me u barazua me kriminel të Serbisë kjo është shumë shumë e papranueshme”, tha Ismet Krasniqi.

Ndërsa Qamil Krasniqi, gjithashtu familjar, kritikoi kohën e gjatë të paraburgimit dhe procesin gjyqësor.

“Kemi prit shumë kur është arrestua kam thanë pesë apo gjashtë muaj dhe vjen nuk e   kam menduar që bëhen gjashtë vjet se kam mendua që një gjykatë që quhet e Kosovës punon pa asnjë njeri të Kosovës, po edhe ligjet e Kosovës nuk po i respekton. Nuk e di nëse ka turp më të madhe në botë sesa me mbajt kaq gjatë e mos e dhashë Zoti me dënua një njeri që kurrë nuk ka mendua e veprua keq”, deklaroi Qamil Krasniqi.

Për të katër ish-krerët e UÇK-së në shkallën e parë vendimi ishte i pafavorshëm. Kurse për familjarët e qytetarë të shumtë nga e gjithë Kosova, vendimi është i padrejtë e i papranueshëm.

Të Ngjashme