Kuriozitete

Emri i ekzekutuesit nazist në foton e tmerrshme të L2B zbulohet pas 80 vitesh kërkimesh falë inteligjencës artificiale

Shpesh e lidhur me mashtrime dhe “deepfake”-e, inteligjenca artificiale (IA) tani po përdoret për një qëllim tjetër, më fisnik: për të zbuluar përbindëshat e historisë.

Një historian gjerman ka përdorur këtë teknologji të kudogjendur për të zbuluar identitetin e një ekzekutori famëkeq nazist në një fotografi të Luftës së Dytë Botërore, më shumë se 80 vjet pasi ajo u shkrep.

“Sipas gjithçkaje që dëgjoj nga ekspertët teknikë, përputhja është jashtëzakonisht e lartë në përqindje, sipas rezultateve që nxjerr algoritmi,” tha për The Guardian historiani gjerman Jürgen Matthäus, njeriu që zgjidhi misterin.

Në foton rrëqethëse, e bërë në territorin e sotëm të Ukrainës, një ushtar nazist me syze i drejton pistoletën një burri të ulur në gjunjë para një varri masiv, ndërsa trupa të tjerë të SS-së shikojnë.

E njohur gjerësisht si “Hebreu i fundit i Vinitsës”, kjo foto mbeti një mister për dekada me radhë, derisa Matthäus e zbardhi rastin me ndihmën e IA-së, dokumenteve historike dhe dëshmive personale.

Sipas studimit të botuar në Journal of Historical Studies, masakra ndodhi më 28 korrik 1941 në kështjellën e Berdychiv-it dhe jo në Vinnitsa, siç ishte besuar më parë. Regjimenti, Einsatzgruppe C, ishte ngarkuar me “zhdukjen e hebrenjve dhe partizanëve” në rajonin e sapopushtuar sovjetik, përpara një vizite të Adolf Hitlerit.

Ekzekutori besohet të jetë Jakobus Onnen, një mësues i frëngjishtes, anglishtes dhe edukimit fizik, i lindur në vitin 1906 në Tichelwarf të Gjermanisë, i cili iu bashkua partisë naziste në vitin 1931.

Matthäus e bëri këtë zbulim pjesërisht falë një rasti fatlum: pasi në mediat gjermane u publikuan vitin e kaluar detaje për vendndodhjen, datën dhe njësinë e masakrës, një lexues dha informacione të rëndësishme.

Bazuar në korrespondencën e kohës që ndodhej në pronësi të familjes së tij, ai tha se qitësi i ngjante shumë xhaxhait të gruas së tij, Onnen, dhe dha të dhëna biografike që përputheshin.

Fotot u dërguan më pas tek vullnetarët e grupit të gazetarisë hetuese Bellingcat, të cilët i analizuan në mënyrë mjekoligjore duke përdorur inteligjencë artificiale.

Image

Kur u kombinuan ngjashmëria e fortë fizike dhe provat rrethanore bindëse, përputhja u vlerësua e mjaftueshme për t’u bërë publike, tha Matthäus.

Edhe pse IA-ja ishte padyshim thelbësore në këtë zbulim historik, Matthäus theksoi se teknologjia “nuk është plumbi i argjendtë”, por “një mjet ndër shumë të tjerë” dhe se “faktori njerëzor mbetet thelbësor.”

Nuk dihet çfarë e shtyu Onnen-in të radikalizohej, por ai raportohet të ketë qenë një nazist i përkushtuar. Në gusht 1939, pak para shpërthimit të luftës, ai u regjistrua në njësinë SS Death’s Head në kampin e përqendrimit Dachau dhe në vitin 1940 punonte për “Policinë e Rendit” naziste në Poloninë e pushtuar, raportoi The Independent.

Më pas ai iu bashkua Einsatzgruppe C, njësisë me të cilën u fotografua duke kryer ekzekutimin e tmerrshëm, në vitin 1941, menjëherë pas pushtimit nazist të Bashkimit Sovjetik. Njësia thuhet se i vrau të 20,000 hebrenjtë përveç 15, që gjendeshin aty në momentin e mbërritjes së tyre.

“Këto ekzekutime masive në këtë format vazhduan deri ditën e fundit të pushtimit gjerman në lindje,” tha Matthäus. “Mendoj se kjo foto duhet të jetë po aq e rëndësishme sa ajo e portës në Auschwitz, sepse tregon natyrën e drejtpërdrejtë të krimit, përballjen e menjëhershme midis vrasësit dhe viktimës.”

Me gjithë përkushtimin e tij ndaj kauzës naziste, Onnen nuk u gradua kurrë përtej një rangu të ulët dhe u vra duke luftuar kundër partizanëve në rajonin Zhytomyr të Ukrainës në vitin 1943.

Fatkeqësisht, viktima e gjunjëzuar ende nuk është identifikuar, por Matthäus tha se planifikon ta zbulojë edhe këtë në projektin e tij të ardhshëm, duke përdorur dokumente të periudhës sovjetike dhe, ndoshta, sërish ndihmën e inteligjencës artificiale. / New York Post – Syri.net

Të Ngjashme