Lajme

“Energjia elektrike”, Kusari – Lila: Ftesa për këtë seancë erdhi pas dështimit të diskutimeve për zgjedhjen e presidentit

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari Lila deklaroi se ftesa për seancë të jashtëzakonshme është bërë pas dështimit të diskutimeve për zgjedhjen e presidentit, raporton KosovaPress.

Ajo ka folur edhe për privatizimin e Distribucionit dhe Furnizimit, për çka i ka reaguar deputeti i PDK-së, Arian Tahiri duke i thënë se me krenari po e promovon këtë privatizim.

Në seancën e jashtëzakonshme ku po diskutohet për çmimin e energjisë elektrike, ministrja Kusari-Lila tha se opozita po e atakon atë duke u zhveshur vetën nga të gjitha përgjegjësitë.

Ftesa për këtë seancë erdhi pas dështimit të diskutimeve për zgjedhjen e presidentit, tha Kusari- Lila

“Është interesant se ftesa për këtë seancë të jashtëzakonshme vetëm pas njoftimit se dështuan në njëfarë forme diskutimet për zgjedhjen e presidentit. Disi edhe mbrojtjen e interesit të qytetarëve e vendosët pas interesit se mos po arrijmë ndonjë marrëveshje e këtë e lamë pastaj. Kjo në esencë e tregon edhe njëfarë sinqeriteti në raport me temat që po doni me i diskutu. E mënyrën se si po shpreheni edhe faktet të cilat po i shtrembëroni në vazhdimësi, në veçanti nga ato që i dëgjova kur erdha këtu, duke u përfolur në vazhdimësi emri im, unë uroj që juve të ju bën me u ndje më lehtë fakti se e zhveshni vetën nga të gjitha përgjegjësitë e juaja të deritashme, ndërsa unë e mbaj të them kryqin e fajit në shpinë edhe e kam fajin për privatizimin, e kam fajin për koordinimin me Listën Serbe, e kam fajin për njehsorët, e kam fajin për çka do që ju bjen në mend përmendmani emrin. Hiç nuk është problem nëse juve ju bën të ndjehni më lehtë”, ka thënë ajo.

Ajo foli edhe për privatizimin e KEDS-it, për çka sipas saj ekziston dokumentacioni për çdo takim të grupit qeveritar.

Kusari-Lila: Aktakuza nuk ka të bëjë me procesin e distribucionit

“Sa i përket këtij vendimi për privatizim, ka filluar në qeverinë Thaçi 1, ka vazhduar në qeverinë Thaçi 2. Privatizimi ka qenë proces i cili është përcjellur me një marrëveshje me Bankën Botërore, më konkretisht me International Financial Cooperation që ka qenë këshilltar transaksioni. Nëse po ju intereson çfarë ka ndodhur në privatizim, ta dini se i gjithë dokumentacioni i secilit takim të grupit qeveritar është arkivë e cila është lehtësisht e qasshme. As edhe një takim edhe në aktakuzë pastaj që është bërë nga Prokuroria Speciale që është turp, nuk është referencë të ndonjë takimi të fshehtë, përfitimi material apo individi të caktuar që ka qenë në aktakuzë. Dhe aktakuza nuk ka të bëjë me procesin e distribucionit e ju shumë mirë, por zgjedhni me qenë gjysmë neglizhentë e gjysmë manipulativ për opinionin publik. Aktakuza ka qenë për katër hidrocentralet e vogla të cilat kanë mbetur me distribucionin dhe në fund është vërtetuar në dy shkallë që nuk ka pasur bazë”, theksoi ajo.

Për temën e privatizimit të KEDS-it ka reaguar shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, i cili i tha Kusari-Lilës se me krenari po e promovon këtë proces.

Hajdari-Kusarit: Me krenari po e promovon procesin e privatizimit

“Paradoksi i fjalimit të ministres është që kjo me shumë krenari po e promovon procesin e privatizimit, përkatësisht KEDS-it. Tash pyetja logjike është: kauza kryesore e Lëvizjes Vetëvendosje dhe e Albin Kurtit që edhe e ka kall Kosovën ka qenë kundër privatizimit, ndërkaq sot pas 26 vitesh del edhe me shumë krenari e promovon procesin e privatizimit edhe e konstaton si storje suksesi. Edhe unë pajtohem që është storje suksesi sepse si rezultat i privatizimit edhe asaj kontrate që janë investuar rreth 400 milionë euro janë eliminuar reduktimet që kanë qenë”, ka thënë ai.

Më pas i ka replikuar ministrja Kusari Lila e cila mohoi se e promovon këtë çështje si sukses.

Kusari-Lila: Procesi i distribucionit është promovuar si sukses i qeverisë Thaçi

“Zotëri Tahiri unë nuk thash me krenari, thash atë kohë ose atëbotë është promovuar si sukses i qeverisë Thaçi, pjesë e cilës ka qenë LDK dhe ju referova këtyre dhe ju thash që ju prapë ende keni në programin tuaj privatizimin”, u shpreh ajo. 

Të Ngjashme