Në rrjetet sociale po përhapet një lëvizje e re e quajtur “Era e Burrave Modern”. Ky trend sfidon pritjet tradicionale gjinore duke propozuar një ndërrim role: burrat dëshirojnë që gratë të marrin përsipër përgjegjësitë financiare të familjes.
Koncepti i “Burrave Modern” sugjeron një model ku burrat qëndrojnë në shtëpi, kujdesen për fëmijët ose ndjekin hobet e tyre, ndërsa gratë janë ato që mbështesin financiarisht familjen. Kjo ide po përhapet shpejt dhe ka nxitur debate të ndryshme, me përdorues të rrjeteve sociale që ndajnë eksperiencat e tyre, disa duke e mirëpritur si një hap drejt barazisë gjinore, të tjerë duke e kritikuar si një kërkim jo realist për ndryshim.
Martina Rissi, një eksperte e marrëdhënieve, tregon se si gjithnjë e më shumë burra shprehin dëshirën për të qëndruar në shtëpi dhe të kushtuar më shumë kohë për jetën familjare. Sipas saj, ky ndryshim tregon një lëvizje në perceptimin e roleve brenda familjes, por thekson edhe sfidat e një ndryshimi të tillë në një shoqëri që ende vlerëson punën tradicionale.
Videoja e një përdoruesi në rrjetet sociale, i njohur si scarfacemark, ku ai shpreh kënaqësinë e të qenurit në shtëpi dhe të pasurit një partner që paguan të gjitha faturat, ka marrë qindra mijëra shikime. Ai argumenton se kujdesi për shtëpinë dhe gatimi janë aktivitete të këndshme dhe se modeli i ri i ofron burrave një mundësi për të çmuar këto aspekte të jetës që tradicionalisht janë lënë në hije.
Megjithatë, siç vëren një tjetër përdorues i rrjeteve sociale, i njohur si “thedaddyacademy”, është e rëndësishme të mos fajësohen grupe të caktuara për sfidat në takimet dhe marrëdhëniet, por të reflektohet mbi përzgjedhjet personale dhe tiparet e karaktereve që tërheqim.
Diskutimi rreth “Burrave Modern” dhe ndryshimit të roleve gjinore mbetet një temë e nxehtë, dhe shumë janë të interesuar të shohin se si do të zhvillohet ky trend në shoqërinë moderne. Ndërsa disa shohin këtë si një mundësi për të sfiduar dhe ndryshuar normat e vjetra, të tjerë theksojnë nevojën për një dialog të hapur dhe të ndërgjegjshëm mbi barazinë gjinore dhe respektin reciprok në çdo lloj marrëdhënieje./BS