Nëse e shijon të rrish pranë dritares me një filxhan pije të ngrohtë në dorë ndërsa bie shi, ndoshta je një pluviofil, dashamirës i shiut. Por magjia shpesh fillon para pikave të para: është era e veçantë që paralajmëron ardhjen e tij.

Kjo aromë quhet petrikor, një term i shpikur në vitin 1964 nga dy shkencëtarë në Nature. Fjala vjen nga greqishtja petro (gur) dhe ichor (lëng hyjnor). Sot, ajo lidhet me ndjenjën e freskisë dhe qetësisë që sjell aroma e tokës së lagur.

Shkaku kryesor i saj është gjeosmina, një përbërje kimike e prodhuar nga disa baktere të tokës, veçanërisht nga gjinia streptomyces. Këto baktere, përveç se janë burim i antibiotikëve si streptomicina, sekretojnë gjeosminën me një erë “tokësore”, të cilën njeriu e dallon në përqendrime jashtëzakonisht të ulëta, deri në një pjesë në trilion.

Gjeosmina çlirohet kur toka e thatë laget nga pikat e para të shiut ose kur rritet lagështia para stuhisë. Aroma rritet edhe më shumë nëse ka rrufe, sepse ozoni e përforcon ndjesinë. Megjithatë, nëse shiu është i dendur, përbërja tretet dhe aroma humbet.

Pse bakteret prodhojnë gjeosminë? Studime të fundit zbuluan se ajo tërheq kolembolët, krijesa mikroskopike të tokës që ushqehen me streptomicete dhe shpërndajnë sporet e tyre. Ky bashkëjetim u jep përparësi të dyjave: baktereve përhapje dhe kolembolëve ushqim të bollshëm.

Ende nuk dihet pse njerëzit janë kaq të ndjeshëm ndaj saj apo pse na duket kaq e këndshme. Disa mendojnë se aroma na paralajmëronte për shiun në kohët e lashta. Sot, mbetet një aromë që shumë duan ta ndiejnë, edhe pse asnjë parfum nuk e ka riprodhuar dot saktë. Siç thonë shkencëtarët: “Natyra e njeh formulën perfekte.” / Discover Magazine – Syri.net