BBV

Erërat e forta rrëzojnë fasadën e një objekti në Fushë – Kosovë, lëndohet një person

Një person është lënduar dhe një veturë është dëmtuar si pasojë e rrëzimit të fasadës së një objekti, për shkak të erërave të forta që po mbizotërojnë në Fushë Kosovë.

Drejtori i Shërbimeve Publike në Fushë Kosovë, Izja Mjeku, ka bërë të ditur se rreth orës 21:00 kanë pranuar një telefonatë për një incident të ndodhur në afërsi të shkollës “Mihal Grameno”, ku ka rënë fasada e një objekti banesor.

Si pasojë e këtij rasti, një person i rastit ka pësuar lëndime trupore, një veturë është dëmtuar, ndërsa është shkaktuar rrezik edhe për pjesëmarrësit në komunikacion.

“Sapo kemi pranuar informatën, ekipet e Policisë së Kosovës, në bashkëpunim me Drejtorinë e Shërbimeve Publike, kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe, së bashku me qytetarët, kanë ndërhyrë për pastrimin e zonës dhe eliminimin e rrezikut”, ka deklaruar Mjeku.

Sipas tij, personi i lënduar është dërguar për trajtim mjekësor dhe aktualisht po merr ndihmën e nevojshme në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF).

Drejtoria e Shërbimeve Publike ka apeluar tek qytetarët që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë qarkullimit, për shkak të erërave të forta që pritet të vazhdojnë edhe në orët në vijim.

Të Ngjashme