Shëndetësi

Erëza e lashtë që redukton fryrjen dhe ndihmon në rënien në peshë

Adhuruesit e kerrit mund të përfitojnë edhe më shumë shëndet nga pjatat e tyre të preferuara.

Qimnoni, erëza e gjithanshme që i jep gatimeve atë shije të ngrohtë, arrore dhe tokësore, është i pasur me antioksidantë dhe mund të ndihmojë në uljen e rrezikut nga sëmundjet, duke mbrojtur qelizat e trupit.

“Një dietë e pasur me antioksidantë mund të ndihmojë në uljen e rrezikut nga sëmundjet e zemrës dhe disa sëmundje të tjera kronike,” thotë dietologia Nicole Hopsecger për Klinikën Cleveland. “Sigurisht, kjo lidhet edhe me faktin që dieta duhet të jetë e pasur me burime të tjera antioksidantësh, përfshirë fruta të freskëta, perime, drithëra integrale dhe bishtajore.”

Për të përfituar sa më shumë nga këto vlera, Hopsecger këshillon që njerëzit t’i bluajnë farat e qimnonit, gjë që rrit aftësinë e trupit për ta përthithur atë.

“Gjithashtu përfitoni më shumë nga vitaminat dhe mineralet që përmban, si vitaminat B, vitamina E, hekuri dhe magnezi,” shpjegon ajo.

Hekuri ndihmon në formimin e një proteine në qelizat e kuqe të gjakut që transporton oksigjenin nëpër trup, përforcon sistemin imunitar dhe mban flokët të shëndetshëm. Magnezi ndihmon në funksionimin e muskujve dhe nervave, forcon kockat, rregullon nivelin e sheqerit në gjak dhe mbron shëndetin imunitar, sipas MedlinePlus. Vitamina B është thelbësore për metabolizmin dhe funksionin e trurit.

Por kjo nuk është e vetmja gjë që qimnoni mund të bëjë për ju. Një studim zbuloi se ekstrakti i qimnonit ndihmoi njerëzit të lehtësonin fryrjen dhe simptomat e tjera të sindromës së zorrës së irrituar. Një përmbledhje tjetër tregoi se ekstrakti i qimnonit kishte përmirësuar analizat e funksionit të mëlçisë te pacientët me sëmundje jo-alkoolike të mëlçisë së dhjamosur.

ImageQimnoni është përdorur prej mijëra vitesh, që nga fillimi  historisë së shkruar, sipas NPR-së. Ai ishte i njohur në Mesopotaminë e lashtë dhe, gjatë më shumë se 4000 viteve që prej atëherë, përdorimi i tij është përhapur në të gjithë Lindjen e Mesme, Europë, Azi dhe Amerikë.

“Pasi futet në një tokë dhe kulturë të re, qimnoni gjen mënyrën të bëhet pjesë e pandashme e kuzhinës vendase, prandaj është një nga erëzat më të përdorura në botë,” shkruan autori Gary Nabhan në librin e tij “Cumin, Camels, and Caravans.”

Çdo sasi e përdorur në gatim është përgjithësisht e sigurt, por njerëzit duhet të jenë të kujdesshëm me suplementet, këshillon Hopsecger.

Studime të mëparshme kanë zbuluar gjithashtu se qimnoni mund të ndihmojë në rënien në peshë.

Image

Një studim pohonte se ndihmonte njerëzit të binin në peshë në mënyrë të ngjashme me një ilaç të disponueshëm pa recetë për rënien në peshë të quajtur Orlistat. Një studim tjetër, që analizonte efektet e qimnonit dhe limonit, zbuloi “efekte të dobishme në peshë” tek pjesëmarrësit që ishin mbipeshë. Një studim i tretë tregoi se niveli i kolesterolit u përmirësua pas konsumimit të vetëm tre gramëve pluhur qimnoni në ditë për tre muaj.

Por dietologia thekson se nevojiten më shumë kërkime për të vërtetuar lidhjen.

“Nuk ka mjaftueshëm kërkime që t’i mbështesin këto përfundime,” tha Hopsecger. “Në ato pak studime që ekzistojnë, me shumë gjasë ndikojnë edhe faktorë të tjerë përveç suplementit të qimnonit, si motivimi i shtuar apo ndryshimet në stilin e jetesës.” / The Independent – Syri.net

 

Të Ngjashme