ShowBizzz

Ermal Meta në Sanremo, kuptimi i emrit të qëndisur në këmishë

Ermal Meta konkurron në Festivalin Italian të Muzikës Sanremo 2026 me “Stella Stellina”, një këngë rezistence dhe shprese që sjell në skenën e Ariston historinë e një vajze palestineze që qëllimisht mbetet pa emër, duke u bërë kështu një përfaqësim i të gjithë fëmijëve të pafajshëm të prekur nga dhuna në Rripin e Gazës. Fjalët dhe muzika që synojnë t’u japin zë të gjitha vajzave palestineze të vrara gjatë luftës përforcohen nga pamja e artistit.

Ermali performoi në skenë në natën hapëse me emrin e një vajze të qepur në jakën e këmishës së tij: Amal. Një emër i zgjedhur jo rastësisht, që në arabisht do të thotë shpresë. “Amal” është emri i zgjedhur për natën e parë sepse emrat, në fakt, do të ndryshojnë çdo natë që artisti do të performojë në skenë. Ermali ka treguar se e shkroi këngën i frymëzuar nga vajza e tij 1-vjeçare, Fortuna.

“Protagonistja e ‘Stella Stellina’ është një vajzë pa emër, por ndoshta i ka të gjithë emrat. Aysha, Amal, Layla, Nour, Hind, kujt i intereson, ndoshta asgjë, ndoshta gjithçka. Bijat e askujt, bijat e të gjithëve. Doja që emrat e tyre të qepeshin në rrobat e mia, të shkruara me dorën time”, shkroi kantautori poshtë postimit të tij në Instagram.

Kënga tregon këndvështrimin e një burri – ndoshta një babai, një fqinji, një njeriu – i cili vëzhgon dhe ofron një perspektivë intime dhe njerëzore mbi një tragjedi kolektive. Kënga e cila përzien tinguj latinë, ballkanikë e arabë, prek një temë delikate të kohës dhe Ermal Meta e ka bërë të qartë se nuk ka frikë nga polemikat, përkundrazi.

 

 

Të Ngjashme