Kuriozitete

Ervin Goci: Të rinjtë nuk janë dëgjuar, ndaj universitetet mbeten të bllokuara

Aktivisti dhe pedagogu Ervin Goci, në një prononcim për RTSH me gazetaren Jonida Omeri, deklaroi se viti i ri akademik ende nuk ka nisur normalisht, ndërsa universitetet në vend vijojnë të përballen me një situatë të pazakontë.

Sipas Gocit, java e parë e vitit akademik ka shërbyer më shumë si një periudhë rigjetjeje dhe takimesh mes studentëve dhe pedagogëve, sesa si fillim i mirëfilltë i procesit mësimor.

“Universiteti ende nuk ka nisur. Java e parë ishte një rigjetje dhe një mënyrë takimi. Tani jemi në një situatë ku jeta universitare është e bllokuar dhe nuk është e bllokuar vetëm në universitetet publike, por edhe në ato private. Ka shkolla private dhe të mesme private që janë të mbyllura”, u shpreh ai.

Goci tha se situata reflekton një solidaritet të gjerë shoqëror dhe një refuzim ndaj asaj që ai e cilësoi si një realitet të papranueshëm.

“Ka një solidaritet njerëzor dhe një mospranim të absurdit. Nuk mund të bësh jetë normale kur masakrohen të rinj, të mitur dhe studentë, ndërsa mbi 200 të mitur ndodhen të burgosur”, deklaroi pedagogu.

Ai theksoi se jeta universitare mbetet e paralizuar dhe se pakënaqësia e akumuluar në shoqëri tashmë ka dalë hapur në shesh.

Sipas Gocit, çështja kryesore nuk është se sa do të zgjasë kjo situatë, por mënyra se si do të rikthehet normaliteti në vend.

“Nuk ka rëndësi sa do të zgjasë, por si do të kthehet normaliteti i jetës në Shqipëri. Nuk janë vetëm universitetet që janë prekur, por edhe bizneset, bankat dhe sektorë të tjerë që janë të bllokuar”, tha ai.

Më tej, ai drejtoi kritika ndaj qeverisë dhe kryeministrit, duke i konsideruar ata përgjegjës për gjendjen e krijuar.

“Arsyeja është një. Kryeministri është shkaktari, sepse synimi është që vetëm 2 për qind e popullsisë të jetojë si milionere, ndërsa 98 për qind të jetojnë në varfëri dhe të konsiderohen njerëz të parëndësishëm”, u shpreh Goci.

Ai shtoi se qytetarët shqiptarë po zhvillojnë një betejë për të ndryshuar situatën në vend dhe se pakënaqësia e tyre përfaqëson një mesazh të qartë politik.

“Populli shqiptar po bën sot një betejë për të çliruar vendin dhe kjo është një referendum që tregon se ky popull nuk dëshiron të shkojë në Evropë me këtë qeveri”, deklaroi ai.

Duke folur për zgjidhjen e krizës, Goci u shpreh se dialogu nuk mund të zhvillohet në kushtet aktuale pa reflektim dhe përgjegjësi nga drejtuesit politikë.

“Komunikimi dhe dialogu nuk bëhen me një person që është i lidhur pas karriges dhe i thotë popullit ‘hajde flasim’. Kryeministri duhet të mbajë përgjegjësi për dhunën dhe për faktin që nuk i ka dëgjuar të rinjtë”, përfundoi pedagogu Ervin Goci.

Të Ngjashme