“I gjallë apo i vdekur?” Kjo është pyetja që prej dy vitesh shoqëron gazetarët, policinë por edhe opinionin publik mbi fatin e Ervis Martinajt. Prej 8 Gushtit të vitit 2022, kohë kur Martinaj u zhduk pa lënë gjurmë nuk dihet më asgjë për fatin e tij.
Të shumta janë zërat që thonë se ështe eliminuar fizikisht dhe trupi është zhdukur nga kundërshtarët e tij, por ka edhe “Legjenda urbane” që flasin se “Mbreti i Llotove” mund të ketë kryer operacione plastike për t’i shpëtuar autoriteteve dhe kundërshtarëve.
Për të folur sërish mbi këtë “çështje” ishte i ftuar në “7 pa 5” të moderuar nga Alma Çelaj dhe Syrjan Rahova, gazetari i kronikës së zezë Sokol Bregu. Sipas tij edhe pse ka disa pista për zhdukjen pa gjurmë të Martinajt ështe shumë e vështirë për tu zgjidhur si çështje, pasi nuk ka vendngjarje.
“Për çështjen Martinaj shpeshherë ka pista të reja. Është një nga çështjet më të vështira për tu zgjidhur pasi nuk ka vendngjarje. Edhe pse nuk do kishte trup, edhe nëse nuk do kishte armë, nëse do kishte një vendngjarje do të dilnim në një përfundim. Vendngjarja do të ishte e rëndësishme pasi edhe pas shumë vitesh ti mund të gjeje një provë të re. Një pikë gjaku mund të zhduket pas 30 vitesh, pra ne mund të gjejmë të dhëna edhe pas disa vitesh, pasi ka arritur shkenca në këtë pikë. Duke u nisur nga fakti që ende nuk kemi një vendngjaje, edhe pse ka një pistë do të ishte shumë e vështirë për tu gjetur diçka e re”, tha Bregu.
Gazetari shtoi gjithashtu se mungesa e provave është edhe arsyeja pse kjo çështje nuk është marrë ende nën hetim nga SPAK por vijon të hetohet nga Prokuroria e Kurbinit. “Ka disa kotrolle të RENEA-s për tu gjetur eshtra, sërish nuk kemi prova. Ka aq shumë pak prova në dosje sa SPAK ende nuk e ka marrë nën hetim, ja ka lënë Prokurorisë së Kurbinit. Pra nuk ka asnjë provë shkencore, që të provojë se ai persion ëhstë rrëmbyer”, shtoi më tej Bregu.
I pyetur nga moderatori Syrjan Rahova se cili është fakti më i besueshëm për fatin e Ervis Martinajt, Bregu theksoi se vetëm ata që nuk e kanë njohur mund të besojnë se është gjallë. Bregu tha se Martinaj ka vdekur, pasi nëse do të ishte e kundërta, armiqtë e tij nuk do të mund të lëviznin kaq lirshëm, si dhe shteti nuk mund t’i konfiskonte kaq lehtë pronat e tij.
“Nëse Martinaj do të ishte gjallë situata nuk do të ishte kështu. Ai do të merrte një goditje ndaj kundërshtarëve të tij. Ai është i vdekur. Të tjerët që mendojnë ndryshe nuk e kanë njohur aspak”, deklaroi Bregu.