Lajme

“Është idiotësi” – Kim Mehmeti për vendimin e prokurorisë ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë

Publicisti Kim Mehmeti, në emisionin “Këndi i Kimit” në Tëvë1, ka komentuar vendimin e prokurorisë në rastin e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Hagë, duke e cilësuar atë si “idiotësi”. Ai ka shprehur se procesi është politik dhe gjykata po del jashtë mandatit të saj fillestar.

“Ajo është aq e qartë që është proces politik, sepse pikërisht kjo gjykatë nuk ka të bëjë fare me atë për të cilën është themeluar. Ajo është themeluar për shtypin e verdhë, mirëpo prapë kemi situata që nuk ishin parashikuar. Kuvendi i Kosovës duhej të ngrinte iniciativën që kjo gjykatë të zhbëhet, sepse ajo ka dalë krejt jashtë mandatit të saj,” ka thënë Mehmeti.

Ai ka kritikuar edhe vendimin e prokurorisë për dënimet e mundshme të ish-krerëve.

“Është një idiotësi, sepse Serbia ka kryer aq shumë krime, ka hapur varreza masive dhe ka bërë gjenocid, por nuk u dënuan aq njerëz. Tani për njerëzit që kanë luftuar për lirinë e vet dhe për të mbrojtur popullin e tyre të gjykohen në këtë mënyrë? Askush nuk mund të argumentojë se këto vendime janë të drejta,” tha Mehmeti.

Ai ka shtuar se UÇK-ja nuk ka kryer krime ndaj civilëve serbë.

“Cilët fshatra të Serbisë i bombardoi UÇK-ja? Cilët vendbanime të Serbisë? Cilët fëmijë serbë u vranë nga UÇK-ja? Asnjë. Ky vendim tregon fytyrën e vërtetë të procesit dhe është i padrejtë,” ka përfunduar Mehmeti.

Të Ngjashme