
Institucionet e Kosovës bartin përgjegjësinë e plotë për të bërë hetimet në lidhje me ngjarjet e dhunshme të 24 shtatorit në Banjskë.
Në një përgjigje për Tëvë1, EULEX-i e pranon se mandati ekzekutiv i EULEX-it në sistemin gjyqësor të Kosovës ka mbaruar në vitin 2018 dhe nga ai vit ky mision nuk ka funksione hetuesie apo prokuroriale në Kosovë.
Sipas EULEX-it, Përfaqësuesi Special i BE-së në Kosovë është përgjegjës për lehtësimin e kërkesave për Asistim të Përbashkët Legal ndërmjet Kosovës dhe vendeve mosnjohëse, përfshirë Serbinë.
“Në linjë me mandatin aktual të EULEX-it, Misioni përkrah Policinë e Kosovës në fushën e bashkëpunimit ndërkombëtar të policisë duke lehtësuar shkëmbimin e informatave mes Policisë së Kosovës dhe INTERPOL-it, EUROPOL-it, apo Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë” – thuhet në përgjigjen e EULEX-it.