Lajme

Fajdexhinjtë përdorin dobësinë e qytetarëve për fitim ilegal – Racaj zbulon të vërtetën e frikshme

Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha gjatë prezantimit të raportit vjetor të punës së Policisë Rajonale të Prishtinës, ka theksuar se një nga sfidat në vend, është edhe çështja e fajdes .

“Ne duhet të mbledhim informacion, janë dy-tre forma që po kryhet fajdeja në Kosovë. E para është kur fajdexhiu, së bashku me viktimën, shkojnë te noteri dhe noterizojnë marrëveshjet për fajde…  E dyta janë problemet me sallonet e kerreve, shitjeve dhe këtu në bazë të informacioneve që ne i kemi, janë të përfshirë në këtë muhabet. Kërkojmë prej të gjithë juve, prej komandantëve, policëve, të mblidhni sa më shumë informacione për çështjen e fajdeve”, ka thënë  Hoxha.

Lidhur me këtë, gjeneral Major, Prof. Dr. Muhamet Racaj, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar  se fajdeja nuk është thjesht vepër penale individuale, por pjesë e krimit të organizuar, e cila funksionon me frikë, shantazh, dhunë dhe pastrim parash, duke kërcënuar sigurinë kombëtare, sundimin e ligjit dhe stabilitetin ekonomik të Kosovës.

Image
Gjeneral Major, Prof. Dr. Muhamet Racaj

Po ashtu, ai e ka komentuar edhe deklaratën e Drejtorit të Policisë, Gazmend Hoxha.

“Fajdeja nuk është thjesht një vepër penale individuale, por një aktivitet tipik i krimit të organizuar, i cili funksionon mbi bazën e frikës, shantazhit, dhunës dhe pastrimit të parasë. Ky fenomen përbën një kërcënim serioz për sigurinë kombëtare, për sundimin e ligjit dhe për stabilitetin ekonomik të Republikës së Kosovës, sepse krijon struktura paralele të pushtetit financiar jashtë kontrollit të shtetit.

Deklarata e Drejtorit të Policisë së Kosovës, z. Gazmend Hoxha, për intensifikimin e mbledhjes së informacioneve nga terreni është jo vetëm e drejtë, por e domosdoshme në një fazë kur fajdeja është e ndërlidhur drejtpërdrejt me rrjete kriminale, grupe të dhunshme dhe aktivitete të tjera ilegale. Pa goditur burimin e informacionit dhe pa depërtuar në terrenin ku operon krimi, shteti rrezikon të humbasë betejën për kontrollin e rendit juridik”, ka thënë ai.

Gjithashtu, Racaj ka theksuar se fajdexhinjtë janë pjesë e rrjeteve të organizuara kriminale që shfrytëzojnë dobësitë e qytetarëve për fitim ilegal.

“Fajdexhinjtë nuk veprojnë në mënyrë spontane; ata janë pjesë e rrjeteve të strukturuara kriminale që shfrytëzojnë dobësitë ekonomike të qytetarëve dhe frikën e tyre për të ndërtuar skema të qëndrueshme fitimi ilegal. Prandaj, informacioni operativ nga terreni, inteligjenca policore dhe ndjekja e flukseve financiare duhet të jenë prioritet absolut i institucioneve të sigurisë.

Policia e Kosovës ka kapacitete profesionale për ta luftuar këtë fenomen, por lufta kundër fajdes nuk mund të fitohet vetëm me arrestime sporadike. Ajo kërkon goditje të drejtpërdrejtë ndaj rrjeteve të krimit të organizuar, konfiskim të pasurisë së paligjshme, mbrojtje reale të viktimave dhe dëshmitarëve dhe bashkëpunim të fuqishëm me Prokurorinë dhe mekanizmat kundër pastrimit të parave.

Nëse fajdeja tolerohet, ajo shndërrohet në instrument të krimit të organizuar për nënshtrimin e shoqërisë. Prandaj, kjo betejë duhet të trajtohet si luftë kundër strukturave kriminale që sfidojnë drejtpërdrejt autoritetin e shtetit dhe sigurinë e qytetarëve”, është shprehur Racaj.

Të Ngjashme