Shëndetësi

Faktorët që ndikojnë për pirje më pak ose më shumë të ujit

Për shumë vite, këshilla universale që duhet të pimë tetë gota ujë në ditë, rreth dy litra është përsëritur në media, klinika dhe këshilla shëndetësore. Por një studim i ri, i publikuar në revistën prestigjioze Science, sugjeron se kjo nuk është domosdoshmërisht e vërtetë për të gjithë.

Ky hulumtim, i udhëhequr nga Yosuke Yamada nga Instituti Kombëtar i Inovacionit Biomjekësor, Shëndetit dhe Ushqimit në Japoni, përfshiu më shumë se 5600 persona nga 23 vende, duke analizuar normën e qarkullimit të ujit në trupin e njeriut – që do të thotë sa ujë hyn dhe del nga organizmi çdo ditë. Pjesëmarrësit ishin të moshave të ndryshme, që nga foshnjat 8 ditëshe deri te të moshuarit 96-vjeçarë.

Studimi zbuloi se nevojat për ujë ndryshojnë në mënyrë të konsiderueshme nga personi në person. Në të vërtetë, nevoja ditore mund të variojë nga 1 litër deri në më shumë se 6 litra. Në raste ekstreme, si te atletët që stërviten intensivisht, sasia mund të kalojë edhe 10 litra në ditë.

Faktorët që ndikojnë në këtë nevojë përfshijnë:

1.Moshën dhe gjininë: Meshkujt e moshës 20-30 vjeç konsumojnë mesatarisht 4.3 litra ujë në ditë, ndërsa femrat e moshës 25-60 vjeç kanë nevojë për rreth 3.4 litra. Me kalimin e moshës, këto shifra ulen ndjeshëm.
2.Përbërja trupore: Meshkujt kanë zakonisht më shumë masë muskulore, e cila kërkon më shumë ujë, ndërsa gratë kanë më shumë ind dhjamor, që ka më pak nevojë për lëngje.
3.Niveli i aktivitetit fizik: Njerëzit më aktivë, veçanërisht atletët, kanë nevoja shumë më të larta për hidratim – mesatarisht një litër më shumë se ata që janë më pak aktivë.
4.Mjedisi ku jetojnë: Në zonat me klimë të nxehtë apo në lartësi të mëdha, trupi humbet më shumë ujë përmes djersës dhe frymëmarrjes, duke rritur nevojën ditore për hidratim.

Një aspekt interesant i studimit ishte që rreth 85% e ujit që marrim çdo ditë vjen jo vetëm nga pijet, por edhe nga ushqimet që konsumojmë. Pjesa tjetër prodhohet nga metabolizmi i trupit. Prandaj, të menduarit që uji vjen vetëm nga gota që mbajmë në dorë është një keqkuptim i zakonshëm.

Ekspertët paralajmërojnë se, pavarësisht variacioneve individuale, dehidrimi është një rrezik real dhe i dëmshëm. Simptoma si marramendja, konfuzioni dhe lodhja e tepruar janë shenja paralajmëruese që trupi ka nevojë për ujë. Në raste më të rënda, mund të shfaqen probleme serioze shëndetësore.

Studimi nuk thotë që duhet të ndaloni së pirë ujë – përkundrazi. Ai sugjeron që nevojat për hidratim duhet të jenë të personalizuara, në varësi të stilit të jetesës, moshës, gjinisë dhe ambientit ku jetoni. Në vend të ndjekjes së verbër të një rregulli të përgjithshëm, është më mirë të dëgjoni trupin tuaj dhe të qëndroni të vetëdijshëm për faktorët që ndikojnë në hidratimin tuaj. Syri.net-iefimerida

Të Ngjashme