Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova, u nda nga jeta më 21 janar 2006. Rugova ishte figurë kyçe në lëvizjen për liri dhe pavarësi të Kosovës, duke udhëhequr një rezistencë paqësore dhe duke themeluar Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK).
President Historik pati rol të rëndëshiëm për ndërtimin e shtetit të Kosovës dhe për promovimin e paqes, demokracisë dhe integrimeve euroatlantike.
Familja e veprimtarit Haki Imeri, në një prononcim për “Bota sot” kritikon LDK-në, duke thënë se pas vdekjes së Ibrahim Rugovës partia u shpërbë gradualisht dhe u kap nga interesa personale dhe grupe të brendshme.
Ata nënvizojnë se platforma rugoviane u zhduk, përjashtimet e brendshme dhe rivalitetet politikë e dobësuan partinë, ndërsa figurat si Vjosa Osmani dhe Donika Gërvalla krijuan GUXO-n dhe, në koalicion me VV, arritën të qeverisin për një mandat të plotë, diçka që LDK-ja nuk mundi ta bëjë.
“Që nga vdekja e Ibrahim Rugovës ka filluar shpërbërja graduale e LDK-së. Fillimisht u organizua i ashtuquajturi “Kuvendi i karrigeve”, tashmë i njohur publikisht, ku gati gjysma e LDK-së u përjashtua nga klani i Fatmir Sejdiut. Të përjashtuarit, të udhëhequr nga akademik Nexhat Daci, themeluan Partinë Dardane, së cilës iu bashkuan edhe shumë të pakënaqur të tjerë nga klani i Sejdiut. Ky grup tashmë kishte përfaqësim parlamentar dhe shënonte një tjetër çarje serioze të LDK-së.
Rënia e LDK-së nuk u ndal. Partia u kap gradualisht nga grupe interesi. Ashtu siç e eliminoi Fatmir Sejdiu Nexhat Dacin, po ashtu Isa Mustafa e eliminoi Fatmir Sejdiun, duke e përjashtuar nga partia përmes një skenari të ulët dhe perfid. Në një moment tjetër, edhe Uke Rugova, djali i Ibrahim Rugovës, themeloi Listën Rugova, e cila fillimisht shkoi me AAK-në, për ta “tradhtuar” më pas atë dhe për t’iu bashkuar PDK-së së SHIK-ut.
Kështu, partia që u themelua nga Ibrahim Rugova dhe Fehmi Agani u shndërrua në një çerdhe banditësh politikë, ku interesat personale u vendosën mbi partinë dhe mbi Kosovën. Platforma rugoviane u zhduk krejtësisht nga LDK-ja; ajo nuk përmendet më as si ide, as si filozofi politike.
Procesi i degradimit vazhdoi edhe më tej. Elementë të shtyrë nga SHIK-u, si Isa Mustafa, përjashtuan nga LDK-ja figura si Vjosa Osmani dhe Donika Gërvalla. Pikërisht këto dy figura më pas formuan GUXO-n dhe, në koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje, ndërtuan për herë të parë institucione stabile që e përfunduan një mandat të plotë qeverisës — diçka që LDK-ja e kapur nuk ishte më e aftë ta bënte”, deklaron ai.
Në përfundim, familja e Haki Imerit kritikon drejtimin aktual të LDK-së nga Lumir Abdixhiku, duke thënë se ai e ka larguar partinë nga filozofia rugoviane dhe po e çon drejt shkatërrimit.
Ata theksojnë se Albin Kurti po përfaqëson më mirë sot platformën e shtetndërtimit që kishte themeluar Ibrahim Rugova.
“Sot, LDK-ja ndodhet sërish në krizë të thellë. Ajo drejtohet nga Lumir Abdixhiku, një pinjoll politik i Isa Mustafës, i katapultuar në krye të partisë përmes skenarëve të përgatitur nga Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi. Si i tillë, Abdixhiku e ka larguar përfundimisht LDK-në nga platforma dhe filozofia rugoviane, duke e shndërruar atë në një projekt politik të sugjeruar nga Edi Rama dhe Baton Haxhiu.
LDK-ja po fundoset. Dhe kjo nuk është rastësi. Lumir Abdixhiku ka një mision shkatërrues ndaj kësaj partie. Po të mos ishte misionar i këtij shkatërrimi, ai do të ishte dorëhequr në mënyrë të parevokueshme pas debaklit zgjedhor që përjetoi. Dy dekada pas vdekjes së themeluesit të saj, LDK-ja, me këtë udhëheqje, rrezikon të bjerë edhe nën AAK-në.
Të gjithë ata që e quajnë veten “rugovistë” dhe vazhdojnë të qëndrojnë pranë Lumir Abdixhikut, duke parë qartë se ai po e hedh partinë në humnerë, janë bashkëfajtorë në këtë mision shkatërrimtar.Ibrahim Rugova tashme eshte zavendesuar nga Albin Kurti prandaj ai sot perfaqeson me mire se kusho tjeter platformen e shtetndertimit qe kishte themeluar Rugova ,sot po e realizon Albin Kurti”, thekson ai.