Raportohet se një familje kosovare duhet të largohet nga Zvicra, pasi akuzohet se ka marrë ndihmë sociale në vlerë 618 mijë franga, raporton “Blick”. Gjykata Federale refuzoi ankesën e çiftit, pavarësisht se kanë nisur të punojnë.
Gjykata Federale vendosi që çifti kosovar dhe djali i tyre i mitur duhet të largohen nga Zvicra, pasi kanë marrë ndihmë sociale me vite.
Vendimi ishte marrë nga tre gjyqtarë dhe konfirmon vendimin e Gjykatës Administrative të Aargaut, duke vënë në dukje varësinë e konsiderueshme dhe afatgjatë të familjes nga mbështetja e shtetit.
Burri 55-vjeçar dhe gruaja 50-vjeçare kanë jetuar në Zvicër më shumë se gjysmën e jetës së tyre.
Gruaja erdhi në Zvicër në vitin 1992 si 17-vjeçare si bashkim familjar, ndërsa burri iu bashkua asaj në vitin 1994 pas martesës së tyre. Nga maji i vitit 2008 deri në fund të vitit 2022 thuhet se familja kishte marrë rreth 618 mijë franga ndihmë sociale. Në janar të vitit 2022 Zyra e Migracionit në Aargau njoftoi se do të revokonte leje qëndrimin e familjes dhe zbatoi këtë në prill të vitit 2022.
Avokati mbrojtës ka thënë se varësia e çiftit nuk është e përhershme, pasi ata punojnë prej një viti e gjysmë dhe kanë siguruar të ardhura neto prej 6400 franga në muaj.
Por Gjykata Federale vendosi se marrja e ndihmave sociale prej më tepër se 15 vjet është tepër e gjatë. Po ashtu zbuloi se çifti nisi punën vetëm pasi u kërcënua nga zyra e migracionit.