LifeStyle

Fansat të bindur, ja kush do të jetë James Bond i ardhshëm

Fansat e James Bond kanë nisur të spekulojnë me siguri se aktori Patrick Gibson do të jetë zëvendësuesi i Daniel Craig në rolin ikonik të agjentit 007. Zërat janë ndezur pas prezantimit të lojës së re të miratuar nga Amazon MGM Studios, “007: First Light”, ku Gibson jep zërin e një James Bond 26-vjeçar, të sapodalë nga Marina Mbretërore.

Pamjet e para nga loja kanë tërhequr vëmendjen në rrjet, ku Bond shfaqet në aksion klasik me automjetet legjendare Aston Martin, ndjekje dramatike, skena spiunazhi dhe me humorin tipik që e ka karakterizuar ndër vite. DailyMail shkruan se këto detaje kanë nxitur besimin se përzgjedhja e Gibson nuk është rastësore.

Përveç Bond-it të ri, loja sjell edhe emrat e njohur të botës së 007 si M, Q dhe Moneypenny, ndërsa prezanton edhe një mentor të ri, John Greenaway, i luajtur nga aktori britanik Lennie James. Kjo përforcon edhe më tej idenë e një rifillimi të sagës me një kast të përditësuar.

Edhe pse ende nuk ka një njoftim zyrtar për filmin e ardhshëm të Bondit, shumë e konsiderojnë rolin e Gibson në këtë lojë si një “provë të heshtur” se ai do të jetë fytyra e re e agjentit legjendar në ekranin e madh.

Të Ngjashme