Lajme

Faruk Osmani, përgjatë tri dekadave ishte aty ku e kërkonte nevoja

Të shkruash me zemër e shpirt të lënduar mbi vdekjen e papritur të një shoku dhe miku është rëndë tepër rëndë. Mbrëmë vonë mora lajmin thikë në kraharor mbi vdekjen e hershme dhe të papritur të mikut tim të çmuar Faruk Osmani.

Më 5 korrik në ora 20:00 e 24 minuta, gjejë në sekretarinë telefonike porosinë “Arif, jam Faruk Osmani, desha të takohemi për një kafe, nesër do të shkojë në Kosovë“ Ndër të tjera Faruku, kishte thënë “Zvicra bëri lojë të bukur, por fati ishte në anën e anglezëve“

Meqë kishim planifikuar që së bashku me Farukun t’u bënim një vizitë surprizë në Prishtinë, miqve tanë të përbashkët Ibrahim Makolli dhe Selman Kllokoqi, s’ desha ta bezdisja me thirrje, sepse e dija që dy – tri ditët e para i ka të rezervuara për vajzën e të vëllait Ilirijanën, të cilën e donte aq sa vajzën e vet Xhevrien.

Arbnori, djali im me të kthyer nga sheshi Planpalais i Gjenevës, ku në ekranin e madh televiziv kishte përcjellur ndeshjen e futbollit ndërmjet Spanjës dhe Francës, që luhej në kuadër të Evropianit “ Gjermania 2024” me lot në sy më thotë “Babi a ke dëgjuar që kishte vdekur axha Faruk?!.. Përnjëherë më kaploi një angështi dhe pikëllim i pa përshkruar. Ofshava thellë dhe nisa të qaja…

Me Farukun kishim shumë të përbashkëta . Ishte serioz dhe i fjalës. Ishim njohur katër- pesë ditë përpara demonstratës së madhe të 25 shtatorit të vitit 1995, që u mbajt përpara selisë së OKB- së, në Gjenevë.

Që nga ajo periudhë bashkëpunimi dhe miqësia jonë u shumëfishua. Takoheshim shpesh në Shoqatën “Ikballe Prishtina“ e më vonë në Universitetin Popullor Shqiptar të Gjenevës .

Gjatë vikendit ishim shikues të rregullt të FC. Kosova të Gjenevës, që bënte gara në Ligën e Dytë Regjionale të Republikës dhe Kantonit të Gjenevës, ku në pozitën e qendërsulmuesit luante me mjaft sukses Albani, çuni i madh i Farukut.

Faruk Osmani me njerëzit që kishin shqetësime me shëndetin tregonte interesim të jashtëzakonshëm. Ai në qershor të vitit 2018, së bashku me bashkëshorten e tij, Atifeten më pati vizituar në Qendrën e rehabilitimit në Crans Montana të Vales. Me fjalën e tij të ëmbël dhe këshillat e sinqerta t’i ngjallte shpresat për të ardhmen.

Faruku që ciklin 8-vjeçar dhe atë të Mesëm të shkollimit i kishte përfunduar në Viti, për të vazhduar me studime në Shkollën e Lartë Teknike të Ferizajt, kishte njohuri të shumta nga historia e lavdishme e kombit tonë.

Meqenëse kishte përfunduar studimet në një fazë kur çdonjëri e kishte jetën në rrezik nga pushtuesit serbo- sllavë,ia dinte vlerën gjuhës së nënës dhe traditave tona. Ai gjatë qëndrimit prej tri deceniesh në Gjenevë, u përkushtua me tërë qenien në të gjitha aktivitetet që pikësynim kishin çlirimin e Kosovës.

Faruku ndihmesë të madhe dha në Shoqatën humanitare “Nënë Tereza“ të Gjenevës, ku së bashku me veprimtarët si: Elfi Agushi, Miftar Abdullahu, Rrahim Jahiu, Adem Qerkini, Nexhmedin Ilazi etj, ndihmuan me veshmbathje, barëra dhe ushqime shumë familje të varfëria të Kosovës.

Si dashamirës i flaktë i ruajtjes së gjuhës shqipe të krijuar me gjak Faruku ndihmoi pa u kursyer edhe në mbarëvajtjen e Mësimit Plotësues të Gjuhës Shqipe në kantonin e Gjenevës.

Faruku ishte i angazhuar edhe në jetën politike të Republikës dhe Kantonit të Gjenevës.

Ai në dy mandate me shumë sukses e kreu edhe detyrën e këshilltarit në komunën Meyrin. Në kontakte me personalitete publike të Gjenevës e pasqyroi me argumente terrorin serbë mbi shqiptarët.

Pas përfundimit të Luftës në Kosovë z. Osmani e kreu edhe funksionin e Këshilltarit në Ministrinë e Diasporës së Republikës së Kosovës.

Angazhimi i tij ishte i gjithanshëm, prandaj është vështirë të zbërthehet veç e veç puna e tij në shoqata, klube e institucione të ndryshme të Gjenevës dhe Kosovës.

Me vdekjen e Farukut, Diaspora humbi një veprimtar shembullor, e unë një mik familje të pakompensueshëm.

I qoftë i lehtë dheu i Kosovës , pa të cilën veten e ndjente të parealizuar !

ARIF EJUPI