“Ndjeja se më në fund po i ndihmonim shqiptarët për gjithë vuajtjet që kanë kaluar”…
Kështu Faruza Kallabës i kujtohen emocionet që i kishte derisa po qëndronte në aeroplan ushtarak në misionin për çlirimin e Kosovës.
Bija e shqiptarit nga Rogana e Kamenicës, vendosi të hiqte dorë nga pensionimi më 1999 kur ishte përmendur mundësia e ndërhyrjes në vendlindjen e babait.
Në një intervistë ekskluzive nga Florida për KosovaPress, pikërisht në mbrëmjen e së martës së 24 marsit, në kohën e njëjtë kur 27 vjet më parë aeroplanët lëshuan bombat e para, pilotja shqiptaro-amerikane rrëfen 78 ditët e sulmeve të NATO-s ndaj caqeve serbe.
“Shkova direkt te komandanti dhe i thashë: sigurohu që emri im të jetë në listë”, rrëfimi i pilotes shqiptaro amerikane për bombardimet e NATO-s në Kosovë
“Kur njësia mori vesh se do të shkonim, unë nuk prita që të më vendosnin në listë. Shkova direkt te komandanti dhe i thashë: sigurohu që emri im të jetë në atë listë. Kështu veprova. Ishte e jashtëzakonshme kur morëm lajmin, u befasova shumë dhe mendova: kjo është mundësia ime dhe dua të shkoj. Doja të sigurohesha që të mos mbetesha jashtë…
Edhe tani si 70-vjeçare, Faruza e mban të freskët në mendje këtë vendim e veprim të vetin.
Kallaba: Çdo vit mendoj për vendlindjen e babait
“Siç e dini, unë po përgatitesha të dilja në pension në fund të atij viti. Çdo vit mendoj për babanë tim, për vendlindjen e tij, për trashëgiminë e tij dhe çfarë do të thoshte për të që unë t’i shërbeja Kosovës. Do të thotë shumë për mua kur mendoj për të, për atë lidhje. Mendoj për të çdo vit”, rrëfen ajo.
Gjatë operacionit, Kallaba ishte e angazhuar në furnizimin me karburant në ajër për avionët luftarakë, por ishte e vetëdijshme për rëndësinë e kësaj ndërhyrjeje.
Kur jemi në ajër, është një punë aq intensive sa duhet të përqendrohemi vetëm te detyra. Nuk ka kohë për emocione, por sapo zbresim në tokë, atëherë gjithçka më godet. E kuptoj pse jemi aty dhe kalon nëpër shumë emocione. Mbaj mend që ndjeja se më në fund po i ndihmonim shqiptarët për gjithë vuajtjet që kanë kaluar. Pra, jemi në tokë kur e ndiejmë këtë. Misioni ynë ishte furnizimi me karburant në ajër para dhe pas sulmeve, që do të thotë se bombarduesit dhe avionët luftarakë që kryenin sulmet vinin te ne për karburant para dhe pas. Ndërsa isha në ajër, nuk isha drejtpërdrejt në zonën e luftës, por mund të shihja disi zonën përreth. Kështu funksiononte lufta për ne. Nga rreth dy javë që ishim atje, kam fluturuar ndoshta tetë herë, sepse kishte edhe avionë të tjerë dhe ne ndërronim njëri-tjetrin”, rrëfen Kallaba.
Ajo u rrit duke dëgjuar nga babai i saj për historinë e Kosovës. Kështu e përshkruan si shumë të veçantë edhe faktin që kontribuoi për vendin nga i ka rrënjët.
Kallaba: Si e vogël dëgjoja babanë tim që na tregonte historinë për Kosovën
“Kjo ishte shumë e veçantë, sepse ndërsa rriteshim në SHBA, unë kurrë nuk kam jetuar në Kosovë, por dëgjoja babanë tim që na tregonte historinë. Kur ishim të vegjël, ishte pak e vështirë ta kuptonim, por me kalimin e kohës mësuam dhe e kuptuam dhimbjen që ka kaluar vendi”, rrëfen Kallaba.
Karrierën e saj, Faruza Kallaba e përmbylli me misionin historik – atë të çlirimit të Kosovës nga Serbia. E sot thotë se nuk do të donte asnjëherë që të mos ishte pjesë e këtij operacioni.
Kallaba: Nuk do të ndihesha mirë nëse nuk do të isha pjesë e ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë
“Shpesh mendoj se si do ta kisha humbur atë mundësi, duke qenë se ai ishte viti kur dola në pension. Lufta është gjithmonë e trishtueshme, por nuk do të ndihesha mirë nëse nuk do të isha pjesë e saj. Ishte shumë afër, shumë afër. Dukej sikur ishte e shkruar që unë të isha aty…08:30…Si kudo, jeta nuk është perfekte, por mendoj se është më mirë atje. Dua të besoj se kontributi ynë e ka bërë jetën më të mirë për familjen dhe miqtë që jetojnë atje”, shprehet ajo.
Krenare do të ndjehej edhe sikur të kishte mundësi të jap kontribut sot për shtetin ukrainas, vendlindjen e nënës sa saj, Hanifa Senkjeviç.
Kallaba: E gjithë familja jonë ka qenë në një lloj lufte të vazhdueshme
“Po, edhe vendi i saj ka qenë në trazira të vazhdueshme, ashtu si Kosova. Në realitet, e gjithë familja jonë ka qenë në një lloj lufte të vazhdueshme. Është një ndjenjë shumë e rëndë… Në moshën time tani nuk mund të bëj më gjëra të tilla, por do të isha krenare të isha pjesë e tyre”, thekson Kallaba.
Hera e fundit kur ka qenë në Kosovë ka qenë në vitin 2004, por së shpejti thotë se do të vij sërish në vendin që e kishte befasuar me zhvillimin e menjëhershëm të pasluftës.
Kallaba: Përparimi në Kosovë është i jashtëzakonshëm, nuk mund ta besoj zhvillimin
“Përparimi është i jashtëzakonshëm. Jam shumë krenar për të gjithë atje. Ju jeni me fat sepse ju të gjithë flisni anglisht, gjuhën tuaj dhe shumë gjuhë të tjera….10:20 Kur isha herën e parë dhe herën e fundit, dukej sikur ishin dy botë të ndryshme. Nuk mund ta besoj zhvillimin, ndërtimet dhe inteligjencën e njerëzve. Është e mrekullueshme ta shohësh këtë ndryshim”, thekson pilotja shqiptaro-amerikane.
Me përvojën e jashtëzakonshme ajo është e gatshme të ndihmojë edhe Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), veçse pret të kontaktohet nga institucionet vendore.
Kallaba: Do të doja ta ndihmoja Ushtrinë e Kosovës por nuk kam kontakte
Do të doja të ndihmoja, por nuk kam kontakte. Nuk kam pasur ndonjëherë përveç kur kam qenë atje dhe kam takuar disa komandantë dhe pjesëtarë të ushtrisë…11:20…Nuk kam ndonjë kontakt, përveç me anëtarë të familjes, nuk kam lidhje me institucionet”, thotë ajo.
27 vjet pas bombardimeve që zgjatën 78 ditë, pilotja që ka lindur në Siri, ka vetëm mesazh dashurie për popullin e Kosovës.
“Nga thellësia e zemrës, i dua njerëzit ashtu siç i donte babai im. Ky është mesazhi më i mirë që mund t’u jap”, përfundon ajo.
