Binjakët Reshat e Binak Daçaj dhe shoku i tyre, Fatmir Bojaxhiu, u vranë dhe u masakruan nga një grup i forcave paramilitare serbe, më 1 shtator të 1998-ës.
Vrasja dhe masakrimi i tyre u bë në malin afër lagjes “Hoça Mahalla”, në Prizren, ku ata kishin shkuar për të prerë dru.
Trupat e masakruar të tyre u gjetën tek pas një jave, e dëshmitarët që ishin me ta ditën tragjike, dëshmuan se binjakët 29-vjeçarë dhe shokun e tyre 34-vjeçar, i vrau, Millosh Pleskoviq, i njohur në lagje me nofkën Miki.
Mëngjesin e 1 shtatorit të 1998-ës, vëllezërit Reshat e Binak Daçaj, Fatmir Bojaxhiu, Fevzi e Xhenger Cana dhe Bashkim Kastrati, ishin nisur në malin 300 metra afër lagjes “Hoça Mahalla”, për të prerë dru për ngrohje.
Derisa po ngjitnin malin, atyre u kishin dalë në pritë një grup i armatosur prej 7-8 personave, në mesin e tyre edhe Millosh Pleskoviq, të veshur me uniforma policore dhe ushtarake, me shirita në krah dhe kokë dhe të armatosur me armë të gjata automatike.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Kosovës, grupi i kishte urdhëruar 4 të rinjtë, Reshat e Binak Daçajn, Fatmir Bojaxhiun dhe Xhenger Canën që të ndaleshin, e më pas kishin nisur t’i fyenin në gjuhën serbe.
Menjëherë, Millosh Pleskoviq, i cili njihej me viktimat, pasi që gjyshja e tij ishte fqinje e tyre, sipas dëshmisë së Xhengerit, kishin filluar të shtinte në drejtim të të rinjve. Në atë moment, Xhengeri pohon se është shtyrë nga daja i tij, Binaku, me qëllim që t’u shpëtonte plumbave, pasi ishte më i riu në grup.
Fevzi e Bashkim Kastrati të cilët ishin ndaluar për të pirë cigare, 20 metra më poshtë, i kishin dëgjuar këto fjalë dhe më pas, sipas dëshmisë së tyre, ishin dëgjuar të shtëna armësh dhe plumbat u kishin kaluar mbi kokë.
