Fondi për të Drejtën Humanitare ka reaguar ndaj autorit Shkëlzen Gashi dhe organizatorëve të ekspozitës “Masakrat në Kosovë 1998–1999”, duke i akuzuar për paraqitje të pasakta të të dhënave lidhur me krimet e luftës.
Në reagimin publik, Fondi thekson se në disa raste ekspozita jep një pasqyrë të shtrembëruar të ngjarjeve, duke e cilësuar këtë jo si çështje interpretimi, por si mungesë njohurish bazë mbi të drejtën ndërkombëtare humanitare dhe faktet e vërtetuara në gjykatë.
“Në Burgun e Dubravës nuk janë vrarë “persona të armatosur”, siç paraqitet në tabelën e ekspozitës. Të vrarët ishin të burgosur shqiptarë. Disa prej tyre kishin qenë pjesëtarë të UÇK-së para arrestimit, por në momentin e vrasjes nuk ishin luftëtarë. Ata ishin persona të privuar nga liria dhe nën kontroll të plotë të autoriteteve serbe, pra persona të mbrojtur sipas Konventave të Gjenevës”, thuhet në reagim.
Gabime të ngjashme, sipas Fondit, janë bërë edhe në rastet e Mejës dhe Reçakut.
“I njëjti gabim është bërë edhe në rastin e Mejës. Mes të vrarëve kishte persona që më parë kishin qenë pjesëtarë të UÇK-së, por më 27 prill ata u ndanë nga kolonat e civilëve, ishin të paarmatosur, pa uniformë dhe nën kontroll të forcave serbe. Në këto rrethana ata nuk mund të konsiderohen “persona të armatosur”, por viktima të krimeve të luftës.
Organizatorët e ekspozitës tregojnë gjithashtu mungesë njohurie për faktet e vërtetuara në gjykatë në lidhje me Reçakun. Në transkriptin e gjykimit të Sllobodan Millosheviq-it, Shukri Buja ka deklaruar se nëntë pjesëtarë të UÇK-së janë vrarë në luftime më 15 janar 1999, gjë që është e ndarë nga vrasja e civilëve në Reçak.
Është gabim dhe joprofesionale të nxirret përfundimi se një person është vrarë si luftëtar vetëm sepse ka qenë më parë pjesëtar i UÇK-së. Në Baza e të dhënave të FDH dhe FDHK, përkatësia dhe rrethanat e vdekjes janë kategori të ndryshme. Pikërisht mosnjohja e këtij dallimi ka çuar në paraqitjen e gabuar të 48 të burgosurve të vrarë në Dubravë si “persona të armatosur”, duke shtrembëruar natyrën e krimit”, thuhet në reagim.
Fondi ka shprehur shqetësim edhe për përpjekjet, sipas tyre, të autorëve për të zhvendosur përgjegjësinë tek ky institucion, duke e cilësuar këtë si tentativë për të diskredituar bazën e të dhënave të tyre, e cila dokumenton mbi 8.500 viktima civile shqiptare dhe konsiderohet ndër më të besueshmet për krimet e luftës në Kosovë.
Në fund, Fondi për të Drejtën Humanitare kërkon që ekspozita, në formën aktuale, të hiqet nga hapësira publike, duke theksuar se paraqitja e pasaktë e fakteve dëmton kulturën e kujtesës dhe cenon dinjitetin e viktimave dhe familjeve të tyre.
